![](https://gazetakorrieri.com/wp-content/uploads/2024/12/irakli-davella.png)
Një ngjarje e rëndë e ndodhur në shtetin fqinj, tronditi edhe Shqipërinë, ku mesditën e 15 dhjetorit, u ekzekutua me plumb në kokë 45-vjeçari Irakli Davella nga Finiqi dhe u plagos rëndë biznesmeni Edi Lolo, banues në Tiranë. Sipas raportimeve së bashku me 45-vjeçarin që humbi jetën dhe të plagosurit, ka qenë edhe një burrë tjetër, i cili nuk është prekur nga plumbat.
Sulmi ndodhi jashtë një lokali në kryqëzimin e rrugëve Aristotelous dhe Komotinit, ku autorët qëlluan me gjakftohtësi mbi viktimat dhe më pas u zhdukën nga vendngjarja.
Informacionet nga burime policore bëjnë me dije se 45-vjeçari që humbi jetën pronar lokali në Peristeri. Policia beson se bëhet fjalë për larje hesapesh, nisur nga e kaluara e 45-vjeçarit, i cili dyshohet se ka lidhje me tre figura të krimit në Greqi, të cilët janë vrarë mes grupeve rivale të mafies greke. Po ashtu, në vitin 2009 kundër viktimës është ngritur procedim penal për organizim kriminal, zhvatje dhe të tjera, ndërsa pas kësaj ai dyshohet se nuk ka qenë i përfshirë në ngjarje kriminale.
‘Shënjestra’ dyshohet se ka qenë Edi Lolo i cili ka mbetur i plagosur rëndë në kokë dhe bark dhe po lufton për jetën. Lolo kishte disa ditë që ishte kthyer nga Dubai në Athinë. Hetuesit vlerësojnë se ndoshta ardhja e tij në Greqi ka ndodhur për një arsye specifike dhe ka mobilizuar një grup rival, i cili ka dashur ta largojë nga rruga.
Autorët e vrasjes, ende të paidentifikuar, janë afruar me automjetin e tyre që rezultonte i vjedhur, pranë shqiptarëve dhe i kanë qëlluar. Autoritetet greke po punojnë për kapjen e tyre dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes. /korrieri