Qeveria vendosi me VKM në mbledhjen e 13 dhjetorit, që të kalojë nën administrim të SPAK dhe të Ministrisë së Drejtësisë zyrat e rivlerësimit të gjyqtarëve, kjo pasi nga 1 janari 2025, kompetencat e Komisionerëve Publikë do t’i marrë kryeprokurori i posaçëm Altin Dumani.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi: 1. Në titullin e vendimit nr.518, datë 20.9.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Drejtësisë të një pjese të godinës, ku ushtron veprimtarinë Kontrolli i Lartë i Shtetit, për Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe Komisionerëve Publikë, institucione të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, i parashikuar nga ligji nr.84/2016”, të ndryshuar, dhe kudo në përmbajtje të këtij vendimi, fjalët “… Komisionerëve Publikë, institucione të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, i parashikuar nga ligji nr.84/2016” zëvendësohen me “… Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar …”, thuhet në VKM.
Mbarimi në fund të këtij viti i mandatit të komisionerëve publikë pasohet edhe me marrjen e stafetës nga kreu i Prokurorisë së Posaçme, i cili do të përfaqësojë çështjet e apeluara në KPA.
Mandati i vazhdimit të vetingut në shkallën e dytë ka si afat qershorin 2026. Ndërkohë gjatë 6 viteve proces kontrolli të trefishtë, në shkallën e parë vetingut, u kontrolluan 805 funksionarë, prej të cilëve 268 nuk u konfirmuan në detyrë, pa llogaritur rreth 100 prej tyre që u dorëhoqën.
Aktualisht kanë mbetur për t’u shqyrtuar në KPA, mbasi janë apeluar, 42 gjyqtarë dhe prokurorë. Kurse në Gjykatën e Strasburgut rezulton se kanë bërë padi 130 gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar në Shqipëri.
Kreu i SPAK, Altin Dumani ndau pak dite me pare shqetësimin me shoqërinë civile për një pjesë të gjyqtarëve që kanë kaluar vetingun dhe janë në sistem, por institucioni që drejton ka indicie se ende kryejnë akte korruptive.
“Kemi një numër të madh subjektesh që kemi ushtruar ndjekjen penale. Do vazhdojmë ta bëjmë sa herë kemi indicie. E kam thënë dhe një herë tjetër. Shqetësimi më i madh nuk janë subjektet e shkarkuara por janë ata që kanë kaluar këtë proces dhe vazhdojnë ta ushtrojnë funksionin. Fokusi ynë dhe kjo pjesë e prokurorëve. Ka premisa që mund të kryejnë akte korruptive. Kemi detyrë të ushtrojmë ndjekjen penale”, qe shprehur Dumani./korrieri