Afro 1500 pacientë të diagnostikuar me “HIV-AIDS” nuk kanë marrë dot ngarkesën virale, të cilën duhet që ta kontrollojnë 2 herë në vit. Por në Shqipëri, të infektuarit kanë që në shkurt që nuk marrin atë që i nevojiten. Kjo analizë dikur kryhej në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Teresa”, por me dhënien me koncesion të laboratorit kjo analizë u ndërpre. Tani kjo analizë bëhet në Institutin e Shëndetit Publik. Që nga shkurti, kjo analizë nuk është bërë më.
“Të pyetur nga Top Channel në Institutin e Shëndetit Publik shpresojnë që të furnizohen me kite në janar të vitit 2025, pasi sapo është përmbyllur tenderi ku është shpallur dhe fituesi,“-bën me dije “TopChannel”.
Sipas protokollit që ndiqet në të gjithë botën, të gjithë rastet me HIV, çdo tre apo 6 muaj duhet të masin ngarkesën virale për të monitoruar sëmundjen. Por në mungesë të shërbimit që duhet ta ofrojë shteti, pacientët i janë drejtuar klinikave private që u kushton financiarisht, por u cënon edhe privatësinë./korrieri