Dy të rinj janë vënë në pranga nga Policia e Tiranës pasi janë kapur me 1 kilogram e 50 gram kokainë. Arrestimi është bërë mbrëmjen e djeshme në rrugën ‘Kastriotët’, ndërsa të ndaluarit janë dy të rinjtë Klaudio Serjani, 24 vjeç dhe Euxhenjo Manushi, 20 vjeç. Klajdi Serjani rezulton edhe nipi i Pajtim Serjanit, një personazh i njohur për blutë e Tiranës në botën e krimit, i cili i ka shpëtuar një atentati në 2015, ndërsa njihet edhe si miku i Emiljano Shullazit.
Dy të arrestuarit janë kapur në afërsi të kthesës së Kamzës, pranë terminalit të autobusëve. Antidroga prej të paktën 6 muajsh i kishte në ndjekje dhe në përgjim dy të arrestuarit. Kryesisht ata e shpërndanin kokainën në zonën e ish-Parkut, por dhe në zona të tjera të Tiranës. Të dy kanë qenë në të njëjtën makinë luksoze dhe sapo kanë ndaluar kanë dalë me çantën me drogë. Në këtë moment agjentet e Antidrogës kanë ndërhyrë dhe i kanë arrestuar.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve operacioni policor i koduar “Fam Fanz”, i ndjekur me metoda proaktive. Gjatë operacionit goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në qytetin e Tiranës.
Sekuestrohen 1 kg e 50 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë (me vlerë tregu rreth 270 000 euro). Policia ka kapur në flagrancë 2 shtetasit që ushtronin këtë veprimtari kriminale. Vijon intensivisht puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura nga inteligjenca policore, në kuadër të një procedimi penal ndjekur me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Fam Fanz”.
Gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit K. S., 24 vjeç, dhe E. M., 20 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në rrugën “Kastriotët”, automjetin me drejtues shtetasin K. S., dhe pasagjer shtetasin E. M. Gjatë kontrollit fizik të shtetasit K. S., shërbimet e Policisë i gjetën 1 kg e 50 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë.
Lënda narkotike, së bashku me një shumë parash dhe celularët e shtetasve të arrestuar, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.