Andon Salati është një nga personat e arrestuar në Greqi, në kuadër të një operacioni që ka nisur nga bisedat e zbardhura në aplikacionin “SkyECC”. 32-vjeçari nga Vlora akuzohet se është një nga krerët e një prej grupeve kriminal, që në bashkëpunim me Denis Grabockën, trafikonin drogë në shtetin fqinjë. Salati, i cili njihet me pseudonimet “Sal”, “Salah” dhe “Toni”, rezulton përdorues i “Sky ECC” por edhe “Encrochat”.
Sipas detajeve të siguruar nga “TopChannel”, Salati dhe Grabocka trafikonin marijuanë dhe kokainë nga Spanja dhe nga Shqipëria në Greqi. Më herët, në shkurt të 2016, Salati ishte ndaluar në pikën kufitare të Kakavijës mes 148 mijë euro cash, të cilat po tentonte t’i fuste në Shqipëri. Por çështja u ndoq teksa ai ishte në gjendje të lirë. Po ashtu, nga viti 2018 deri në vitin 2020, ai ka qenë i burgosur në Koridhalo si kreu i një grupi kriminal që shiste lëndë narkotike në Athinë dhe në Mykonos. Edhe pse në burg, kontrollonte gjithçka përmes telefonit.
“Në mesazhet e shkëmbyera nga Andon Salati, gjatë kohës që ishte i burgosur, me Fotio Mplantoumi-Sioho, i burgosur gjithashtu në burgjet franceze, ai përshkruan situatën brenda burgut dhe në veçanti për komoditetet që ka si celulari, televizori inteligjent, router për internet. Ai i referohet marrëdhënieve të mira që ka me punonjësit e burgut, se me ndihmën e gardianëve vendos celularët në qendrën e paraburgimit, njeh një kryegardian dhe një gardian që kur punonin në Mykonos dhe se disa mbrëmje gjatë turnit të tij, gardiani përdor kokainë “i merr disa hundë”. Ai tregon se gjendja në burg ishte më e mirë para 2 vitesh, pasi atëherë të burgosurit pinin pije deri në orët e vona të natës dhe disa kishin edhe shoqërinë e femrave, të cilat i fuste një “kryegardian”,”-shkruhet ndër të tjera në artikull.
Por paratë e drogës pastroheshin diku! Andon Salati dhe Denis Grabocka kishin zgjedhur një kompani që jepte makina me qira në Athinë, biznese që i kishin regjistruar në emërat e familjarëve të tyre. Kompania “CARENT” ka në pronësi 50 automjete dhe 18 motorë, disa prej të cilave janë përdorur nga anëtarë të organizatës. Përveçse pastronte para, kjo kompani kishte dhe funksione të tjera. Anëtarët e grupit merrnin makina “me qira” dhe i përdornin për të transport droge. Po ashtu, është zbuluar se kompania “CARENT” ka lidhje me kompaninë “I GO RENTAL” e cila është krijuar në vitin 2017 në Mykonos.
Andon Salati ishte gjithashtu pronar i “padukshëm” i “steakhouse” “O GYROS TOU ASYRMATOU”, që zyrtarisht është në pronësi të shoqërisë “K SALATI N SINOVARFAJ O.E.” /korrieri