Policia e Elbasanit ka ndëshkuar reperin Arkimed Lushaj, i njohur edhe si Stresi, për manovrat e rrezikshme që kryente me makinë duke shmangur trafikun.
Pas videos që vetë Stresi e reklamoi në rrjetet sociale, ku dallohej teksa ecte kundravajtje dhe shmangte kolonën e trafikut, Policia thotë se ka vendosur masa administrative ndaj tij.
Kështu, Stresi ka marrë një gjobë prej 25 mijë lekës të reja si dhe i janë zbritur 10 pikë nga patenta.
Njoftimi i Policisë:
Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqet automjeti me drejtues shtetasin A. L., duke parakaluar një varg automjetesh në sensin e kundërt të lëvizjes dhe duke përdorur dritat verbuese në zonë të banuar, në aksin rrugor “Elbasan-Bradashesh”, ju informojmë se:
Sektori i Policisë Rrugore i ka vënë drejtuesit të automjetit, shtetasit A. L., masën administrative 25 000 lekë, bazuar në nenet 146 pika 16, 141 pika 10, 146 pika 10 dhe 127 pika 3, të Kodit Rrugor. Gjithashtu, i janë zbritur 10 pikë nga leja e drejtimit.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, dhe i garanton ata se do të reagojë menjëherë dhe konform ligjit.