Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë të pandehur deputetin e Partisë Demokratike Asllan Dogjani. SPAK ka nisur tashmë prej kohësh hetimet për “fshehje pasurie” ndaj deputetit të Partisë Demokratike, Asllan Dogjani. Ndaj lidhur me këtë çështje, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar informacione në disa institucione. Ndërkohë që më datë 8 korrik, Dogjani shkoi vetë në SPAK, ku edhe u mor në pyetje.
Pas daljes nga SPAK, Dogjani u shpreh se ka dëshmuar për një pallat të ndërtuar në vitin 2006, ku vijojnë përplasjet mes pronarëve dhe banorëve. Disa prej tyre e shoqëruan edhe sot në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Po ashtu, disa ditë më parë demokrati u paraqit në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku tha se kallëzimi është bërë nga ndërtuesi Ilirjan Çelaj, të cilin ai e quan ‘zaptues’ pasi më parë e ka paditur për grabitjen e hapësirës publike para pallatit ku banon deputeti dhe e ka kthyer në një parking me pagesë. /korrieri