Policia greke në bashkëpunim me Europol është duke gjurmuar rreth 1 milionë euro, të cilët u grabitën më 26 shtator në zonën e Lavrios dhe dyshohet se ndodhen në Shqipëri. Ngjarja ndodhi më 26 shtator, ku 4 persona që po qarkullonin me një automjet te vjedhur, kanë grabitur një furgon që transportonte vlera monetare jashtë një dyqani lodrash në Lavrio. 3 prej grabitësve të maskuar e të veshur totalisht me të bardha, fillimisht çanë gomat e furgonit të blinduar.
Më pas nën kërcënimin e armëve dhe të një eksplozivi, hodhën bojë në xhamin e parë të mjetit dhe kërcënuan punonjësit. Një prej personave që ndodhej në furgon nën kërcënimin e armës, ka hapur kasafortën dhe grabitësit kanë arritur të marrin 1 milion euro.
Pas dy muaj hetime, policia arriti të identifikojë dhe arrestojë autorët në 27 nëntor. Policia arrestoi 6 persona dhe sekuestroi rreth 211 mijë euro si dhe armë e sende që u përdoren në grabitje. Ata vepronin si grup i organizuar kriminal. Autoritetet fqinje thanë se ata ishin grekë, por nuk kanë dhënë më shumë detaje rreth identitetit të tyre. Por, njëri nga personat e përfshirë në këtë krim, është një 56-vjeçar, i cili kishte precedentë të shumtë prej vitit 1993.
Dy javë pas grabitjes ai rezulton të ketë udhëtuar drejt Shqipërisë, ku dhe qëndroi 1 muaj në vendin tonë dhe më pas u kthye në Athinë. Pas dy javësh qëndrimi në kryeqytetin grek, bashkë me një të afërm ai udhëtoi drejt Parisit në Francë. Ai dyshohet se ka abshkëpunuar me të afërmin e tij në grabitjen e ndodhur. Ndërsa, mësohet se partnerja e 53-vjeçarit është nga Shqipëria. Misur nga kjo, autoritetet greke kanë kërkuar ndihmën e Europol për të hetuar lëvizjet e të dyshuarit në Shqipëri e Francë e nëse shuma e parave është transferuar pikërisht në këto dy vende. /korrieri