“E mbani mend si u turrën tek i ndjeri Klodian Radha, vajti kryeministri dhe Ulsi Manjën, i dërguan dhe çek. Ia blenë gjakun me para. E detyruan të atin që të rinjtë të mos protestonin. Unë ndjehem i turpëruar se ai është dibran,”-kjo deklaratë e Shemsi Premçit ka shkaktuar reagimin e ashpër të babait të të riut të ndjerë, Qazim Rasha. Ditën e djeshme, në “Euronews Albania”, i ati i të ndjerit Klodian Rasha i është përgjigjur ndaj Shemsi Prençit i cili e akuzoi se ka shitur gjakun e të birit.
I ati i të riut me një revoltë dhe zemërim nga kjo akuzë e Prençit u shpreh se askush nuk mund të përgojojë familjen e tij. Në fjalën e tij, Qazim Rasha tha se si dibran që është ka pranuar për ngushëllim në banesën e tij dhe ka zbuluar se i ka kërkuar kryeministrit Rama ka qenë drejtësi për të birin.
“Nuk është dëgjuar që një prind të diskutojë dhe të vërë në pazare çështjen e fëmijës së vet. Të faktojë ai nëse unë kam marrë qoftë dhe një cent të tjetër, dhe pranoj unë të varem në mes të sheshit. Ky është një gjest shumë i ulët,”-tha Rasha.
DEBATI MES TYRE:
Shemsi Premçi: Së pari duhet që edhe nëpërmjet ekranit të televizionit tuaj, edhe pse e kam ngushëlluar zotin Qazim, kontenksti i fjalës time ka qenë dy standatet e qeverisë shqiptare për viktimat. Politizimin e protestës për Klodian Rashës ia bëri Policia. Edhe sot që po debatojmë, strukturat e shtetit nuk kanë dhënë shpjegim se kush e ka hedhur pistoletën.
Qazim Rasha: Nuk kemi ardhur për këtë!
Shemsi Premçi: Unë këtë kam thënë, Klodian Rashën e kanë vrarë dy herë organet e shtetit. Konteksti i fjalës time ka qenë që shteti shqiptar e ka vrarë dy herë Klodian Rashën. Për Qazimin kam këtë, nuk duhet ta priste Ramën dhe Manjën pa nxjerrë kush e kishte hedhur pistoletën. Pasi kur kanë pirë kafe tek Qazimi kanë shuar protestën. Unë kam protestuar për djalin e Qazimit si për djalin tim. Unë po të isha në krahun tënd nuk do ta prisja Ramën dhe Manjën. Prandaj i kam akuzuar se kishin ardhur për të të blerë, jo me para, por ndërgjegjen dhe revoltën tënde.
Qazim Rasha: Me gjithë respektin që kam unë i kam deklaruar qoftë kryeministrit, qoftë ministrit të rendit, se ne jemi popull, në raste të tilla me kë do të flisja? Unë si dibran që ti e di mirë ia kam hapur derën e shtëpisë me prit edhe mikun, edhe hasmin. I kam thënë kryeministrit që me atë armë më keni vrarë për së dyti. Por që të më vrasësh edhe ti…Se fjala jote më vret më shumë se asnjë tjetër se je dhe dibran. Këtë nuk ta pranoj dhe nuk ta bëj hallall. Mos t’ju shkoj ndër mend kurrë që të përgojoni familjen time. Se nuk kam kërkuar lëmoshë e mëshirë, as shtetit, as askujt. E kam përballuar jetën me forcat e mia. Këto janë gjëra që vrasin më shumë sesa plumbi.
Shemsi Premçi: A ka mundësi një pyetje?
Qazim Rasha: Tani nuk kam ardhur të bëj debat. Se unë kam hapur një plagë pas 4 vitesh. Kam ardhur për të thënë që ndaj Qazim Rashës kur të flasësh të matesh mirë, se nuk të nuhas me veshë por edhe me këmbë. Kështu që nuk ia lejoj kurrë në botë. Për gjakun e djalit tim, sesi përgjigjem unë, është puna ime. Nuk i kam thënë asnjë personi që të mos dalë në protestë. Kam thënë që protesta të mos politizohet dhe të mos më shkatërrohet shtëpia ime përmes djalit tim dhe levave të tjera. Janë insinuata shumë të ulëta. S’do e kisha pritur kurrë nga ti.
Shemsi Premçi: A ta ka mbajt premtimin për të kapur atë që hodhi armën?
Qazim Rasha: Unë nuk i marr zvarrë. Nuk kam leva që t’i detyroj ato. Siç po flas me ty, po flas edhe me ato.
Shemsi Premçi: Unë shqetësimin e Qazim Rashës e kam trajtuar gjithmonë si baba dhe si dibran. Edhe sot e kësaj ditë kryeministri nuk ka kthyer përgjigje për të vërtetën.
Qazim Rasha: Mos më përmend më përmend mua këto shitje se nuk ekzistojnë në dinjitetin tim. /korrieri