Grupi hetimor ka marrë në pyetje dy vëllezërit Shkëlqim dhe Florian Duka, si autorë të dyshuar të ekzekutimit mafioz të biznesmenit Eduart Reçi.
Burime për Korrieri bëjnë me dije se efektivi i Komisariatit nr.2, i cili dyshohet se është dhe autori kryesor i vrasjes, Shkëlqim Duka, nuk ka pranuar të japë asnjë deklaratë para kolegëve të tij që po hetojnë krimin.
Por ndryshe nga ai, vëllai i efektivit, Florian Duka, ka mohuar të ketë dijeni, apo lidhje me ekzekutimin e biznesmenit. Dy vëllezërit janë marrë në pyetje veçmas njëri-tjetrit.
Pavarësisht se ata nuk e kanë pranuar krimin e rëndë, grupi hetimor ka në dosje disa prova të rëndësishme që i implikojnë dy vëllezërit si autorë të ekzekutimit të biznesmenit të ndërtimit Eduart Reçi.
Hetuesit kishin marrë informacion në rrugë operative së Reçi kishte konflikte pronësie me dy vëllezërit.
Nga pamjet e kamerave të sigurisë ka rezultuar se ata e kanë ruajtur biznesmenin 5 ditë para se të kryenin krimin, duke u fiksuar nga kamerat përgjatë zonës.
Ditën e ngjarjes, kamerat kanë fiksuar efektivin e policisë, Shkëlqim Duka, i cili ka qëndruar në zonë nga ora 19:00 e deri në orën 23:00 kur ndodhi edhe krimi.
Ai qëndronte i fshehur në shkallët e emergjencës së një hoteli pranë vendit ku u vra biznesmeni.
Dyshohet se në momentin që Reçi ka dalë në sheshin e pallatit të tij, ai është qëlluar me një plumb në kokë nga efektivi Duka.
Fillimisht mbeti i plagosur rëndë, por ndërroi jetë pak orë më vone në spitalin e Traumës.
Per të kryer ekzekutimin e biznesmenit janë hedhur edhe fishekzjarre në mënyrë që të mbulohet zhurma apo për të tërhequr vëmendjen e banorëve dhe familjarëve të viktimës.
Gjatë kontrollit në banesën dhe lokalin e efektivit dhe vëllait të tij, blutë gjetën disa pjesë armatimesh që përdoren konkretisht për armët me silenciator. /korrieri