![](https://gazetakorrieri.com/wp-content/uploads/2024/11/klaudio-prendi.jpeg)
Policia e Tiranës ka kthyer vëmendjen nga Greqia lidhur me atentatin mafioz ndaj Klaudio Prendit, djalit të ish-gjyqtarit të Krimeve të Rënda, Fran Prendi.
Korrieri mëson se targat e përdorura në automjetin e ekzekutorëve rezultojnë të vjedhura në shtetin helen, dhe hetuesit po kërkojnë ndihmë nga homologët në Greqi për të identifikuar autorët, çka mund të ndihmonte në orientimin e hetimeve drejt ndonjë të dyshuari të mundshëm.
Klaudio Prendi u ekzekutua në automjetin e tij luksoz në rrugën “Xhanfize Keko”, ndërsa autorët, pas kryerjes së krimit, dogjën mjetin pranë Liqenit të Farkës. Prokuroria po ndjek disa pista hetimore, si lojërat e fatit, borxhet, apo dhe funksioni i mëparshëm i babait të tij. Deri tani, Fran Prendi nuk ka dhënë dëshmi zyrtare, por në kontaktet e tij me policinë ka kërkuar zbardhjen e ngjarjes.
Gjatë një bisede me drejtuesit e hetimit, Fran Prendi ka deklaruar se nuk ishte në dijeni të ndonjë konflikti që mund të kishte pasur i biri, i cili mund të kishte ngritur dyshime për rrezikun e tij. /korrieri