Prej datës 21 nëntor, Shqipëria është zyrtarisht pjesë e zonës gjeografike të skemave të Tregut Unik të Pagesave në Euro (SEPA). Megjithatë, përfitimet direkte do i kemi vetëm pas muajit prill të 2025-ës, kur të aderohen institucionet financiare shqiptare dhe Këshilli Evropian i Pagesave të japë një datë të dytë për gatishmërinë operacionale të tyre.
Por, çfarë fiton konkretisht Shqipëria nga ky anëtarësim?
Së pari, remitancat. Me Sistemin Unik të Pagesave në Euro (SEPA), një emigrant shqiptar në Evropë e ka më lirë dhe më të thjeshtë që të dërgojë para për familjen e tij në Shqipëri, sepse:
1) Transfertat e parave realizohen brenda 1 dite;
2) Emigrantët shqiptarë që jetojnë në Evropë mund të transferojnë para në mënyrë direkte nga llogaria që kanë në bankat evropiane te llogaria e prindërve në bankat shqiptare;
3) SEPA eleminon nevojën e kryerjes së transfertave të parave përmes institucioneve financiare të transfertave, proces që kushtonte dhe ishte shumë më i ngadaltë;
4) Transaksionet me SEPA mund të realizohen edhe përmes aplikacioneve bankare, direkt nga telefoni;
5) Tarifat e transfertave janë 5 herë më të ulëta në krahsim me transfertat e kryera përmes institucioneve financiare tradicionale, të specializuara në shërbimin e transfertave të parave;
6) Nga kjo, parashikohet të kursehen rreth 20 milionë euro vetëm në vitin e parë.
Pjesëmarrja në SEPA vlerësohet se do të ketë një kontribut domethënës edhe në sektorin strategjik të turizmit, duke i dhënë mundësi turistëve evropianë të kryejnë pagesat në Shqipëri më shpejt dhe me kosto më të ulët. Turistët nga vendet që janë pjesë e SEPA, mund të përdorin llogaritë e tyre bankare në euro për të kryer pagesa në Shqipëri pa qenë nevoja që t’i konvertojnë ato në lekë. Kjo thjeshton transaksionet në hotele, restorante, e të tjera, brenda një dite. SEPA mundëson përdorimin e kartave të debitit dhe kreditit për pagesat në euro, duke eleminuar problemet me tarifat shtesë që shpesh lidhen me transaksionet ndërkufitare.
Nga ana tjetër, anëtarësimi në SEPA krijon një mjedis më tërheqës për investitorët e huaj. SEPA standardizon transaksionet në euro, duke ulur ndjeshëm kostot e transferimit të fondeve ndërmjet investitorëve evropianë dhe Shqipërisë. Tregu Unik i Pagesave në Euro bën të mundur që fondet të transferohen brenda një ditë pune, duke lehtësuar nisjen më të shpejtë të projekteve. Gjithashtu, investitorët mund të kryejnë pagesa direkte në euro pa u konvertuar në lekë, duke shmangur rreziqet e kursit të këmbimit dhe kostot e lidhura me të.
Duke pasur parasysh se BE-ja është partner tregtar kryesor i Shqipërisë dhe në kushtet kur rreth 60% e tregtisë kryhet me vendet e BE-së, përfitimet nga krijimi i lehtësirave financiare janë domethënëse për zgjerimin e shkëmbimeve tregtare. Pjesëmarrja në SEPA i ofron bizneseve shqiptare qasje në tregun evropian prej 350 milionë banorësh, duke iu mundësuar zgjerimin e aktivitetit të tyre, rritjen e konkurrencës dhe të fitimeve. Sistemi Unik i Pagesave në Euro, eleminon tarifat e larta të pagesave ndërkufitare, duke i mundësuar eksportuesve dhe importuesve që të kryejnë tregti në euro pa pasur kosto të konsiderueshme.
Pa SEPA-n, bankat kanë tarifa të larta për procesimin e pagesave ndërkombëtare. Me Zonën Unike të Pagesave në Euro, blerjet online ndaj shitësve evropianë nuk shoqërohen me kosto shtesë. Gjithashtu, për shqiptarët që punojnë si freelancer online, derdhja e pagës nga një kompani evropiane nuk shoqërohet më me tarifa.
Tregu Unik i Pagesave në Euro (SEPA) është një iniciativë e Bashkimit Evropian për të harmonizuar pagesat në Euro në vendet e BE-së. Megjithatë, ndër vite, ky treg është shtrirë edhe jashtë BE-së, duke numëruar aktualisht 36 shtete anëtare. Qëllimi i funksionimit të SEPA-s është t’i bëjë pagesat në Euro midis vendeve anëtare po aq të thjeshta dhe të lira sa ato vendase, duke krijuar një treg të vetëm për to.
Anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA është një mundësi për të integruar platformat e kryerjes së pagesave në euro dhe të tregtisë elektronike me tregun evropian, përpara anëtarësimit tonë në BE.