Tirana është tronditur nga dy ekzekutime mafioze brenda 5 ditësh.
Pak pas mesnatës së të hënës, rreth orës 00:36, në rrugën “Xhanfize Keko”, u qëllua me 5 plumba, Klajdi Prendi, djali i ish-gjyqtarit të GJKKO-së, Fran Prendi.
Viktima sapo kishte dalë nga një lokal dhe po futej brenda automjetit të tij, kur u qëllua me breshëri plumbash nga atentatorët.
30-vjeçari mori 5 plumba dhe u dërgua në gjendje të rëndë tek spitali i Traumës në kryeqytet për ndihmë mjekësore, por nuk i mbijetoi dot plagëve të marra.
Dyshohet se në atentat kanë marrë pjesë 3 persona, ku dy kishin rolin e qitësit, ndërsa i treti ishte shoferi i automjetit ku udhëtonin autorët.
Rreth 30 minuta pas ngjarjes së rëndë, në afërsi të Liqenit të Farkës është gjetur duke u djegur një mjet tip “Audi”, që dyshohet se i përket atentatorëve.
Ndërkohë 5 netë më parë, rreth orës 23:10 të mbrëmjes së 13 Nëntorit, u ekzekutua po ashtu në një atentat mafioz biznesmeni i ndërtimit Eduart Reçi.
Ai u qëllua me një plumb të vetëm në kokë me pushkë dylbi, dyshohet nga distanca, teksa po qëndronte në sheshpushimin e pallatit të tij, ku edhe banonte, përballë Fakultetit të Ekonomisë.
52-vjeçari u dërgua tek Trauma në gjendje të rëndë, por nuk arriti që t’i mbijetojë plagës së marrë, duke humbur jetën.
Mister mbeten autorët e krimit, dhe motivet e atentatit ndaj biznesmenit të ndërtimit.