Mafia nuk ka moshë dhe gjini! Të arrestuarit e kartelit Sinaloa në Spanjë e dëshmojnë këtë gjë më së miri. Gjatë një aksioni të zhvilluar ditën e djeshme, Policia Kombëtare Spanjolle arrestoi 14 persona (11 burra dhe tre gra, midis 30 dhe 70 vjeç) të lidhur me kartelin Sinaloa në Katalonjë. Nga të dhënat e bëra me dije deri më tani mësohet se të arrestuarit kanë lidhje me rrëmbimin dhe vrasjen e një 46-vjeçari, trupi i të cilit në gjendje të avancuar dekompozimi në zonën e quajtur Botarell. Viktima, një shqiptar i Kosovës, kishte udhëtuar nga Italia për t’u takuar me disa nga drejtuesit e celulës së kartelit të themeluar nga Joaquín “el Chapo” Guzmán. Mediat spanjolle kanë publikuar lajmin, por nuk dihet as emri i viktimës dhe as i të arrestuarve.
PAMJET NGA AKSIONI:
Por personi në fjalë ishte marrë peng, data nuk dihet me saktësi, por mendohet midis 31 majit-2 qershorit. Pengmarrësit kishin komunikuar me familjen e viktimës duke i kërkuar 240 mijë euro. Si provë se familjari i tyre ishte ende gjallë, i kishin dërguar një foto.
“Ditë më vonë, familja kontaktoi agjentët për të raportuar se kishin bërë një pagesë në kriptovaluta për shkak të presionit që kishin dhe me kusht që të kishin edhe një tjetër provë se i afërmi i tyre ishte gjallë. Kur morën foton, ata bënë pagesën prej 32 mijë dollarësh në një portofol kriptovalutash virtuale, duke ndjekur udhëzimet e organizatës për të vështirësuar gjurmimin e parave, por në asnjë moment nuk morën asnjë lajm për viktimën, edhe pse rrëmbyesit vazhdonin dhe kërkonin para,”-njoftoi Policia spanjolle.
Në këto kushtee, familja, më konkretisht babai dhe gruaja e viktimës njoftuan Policinë spanjolle. Gjatë gjithë hetimit, specialistët e krimit kibernetik arritën të identifikonin disa persona të lidhur me transaksionin e kriptomonedhave që ishte kryer nga grupi. Nga hetimet u zbulua se viktima fillimisht ishte mbajtur peng në një depo në Barcelonë dhe më pas, me një mjet e kishin çuar në një zonë të largët dhe të pyllëzuar në qytetin e Botarell (Tarragona).
Të arrestuarit kishin lidhje edhe me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe pastrimin e parave. Ata merrnin pako me metamfetaminë që ishte tretur në rroba dhe i dërgonin në Katalonjë. Atje, në një laborator kokaine, kryhej edhe procesi i nxjerrjes së lëndës narkotike.