Mehmet Kadrija, një ish-punonjës i SHISH deri në verën e vitit 2023, ka ndërruar jetë papritur nga shkaqe të panjohura në moshën 59 vjeç.
Nuk është e qartë nëse ai ka vdekur brenda apo jashtë ambienteve të institucionit sekret, por ajo që dihet me siguri është se Mehmeti ishte kthyer në armik të Micro Credit Albania.
Kadrija kishte dërguar letra, përpara se të ndërronte jetë “papritur”, të cilat tregojnë se agjenti i Shërbimit Informativ të Shtetit përndiqej nga banda mashtruese e mikrokredive.
Përmbaruesit dhe drejtuesit e tyre, u zbuluan vetëm pak muaj më parë kur Prokuroria e Tiranës nxori urdhërarrestet, por beteja e Mehmet Kadrisë me Micro Credit Albania dhe shoqëritë e tjera mashtruese të përmbarimit kishte nisur vite më parë, shkruan newsbomb.
Meti, si e thërrisnin kolegët kishte nisur një betejë të guximshme kundër rrjetit famëkeq të mikrokredive, i drejtuar nga grupi MCA, i akuzuar për zhvatje dhe shkatërrim financiar.
Kolegë dhe të afërm të tij ngrenë shumë pikëpyetje për vdekjen e papritur të Mehmet Kadrisë.
“Ai ishte mirë e bukur një mëngjes në një kafe përballë rrethimit të SHISH, kur pas disa orësh dëgjuam që kishte vdekur pa asnjë shkak. U varros në fshatin e tij pa marrë vesh arsyen e vdekjes…”
Megjithëse informacioni nga SHISH mbahet hermetik, burimet tregojnë për një përplasje të ashpër që Mehmet Kadrija kishte me MCA. “Këtë e dinte gjithë SHISH se ata e kishin përndjekur deri në punë…”
Dhjetëra dokumente që Mehmeti i ruante me fanatizëm janë gjetur nga familjarë pas vdekjes së tij.
Kadrija në dy raste ngre akuza të rënda me denoncimet e bëra nga ai vetë një vit para se të ndërronte jetë.
Në denoncime shkruhet historia e mikrokredive e futur brenda rrethimit sekret të SHISH.
Ai u persekutua pa asnjë frikë nga MCA, edhe pse ishte punonjës në detyrë i shërbimit sekret.
Letrat që ka lënë pas vdekjes Mehmet Kadrija kanë fjetur në institucionet më të larta të shtetit, duke përfshirë Kryeministrinë, Ministrinë e Drejtësisë dhe askush nuk foli derisa punonjësi i SHISH vdiq nga “shkaqe të panjohura.”
Rasti i Mehmet Kadrisë, punonjës i Shërbimit Informativ Shqiptar, i cili ndërroi jetë para se të gjente të drejtën e tij, ringjall frikën dhe dyshimet për fuqinë e errët të bandave të mikrokredive në Shqipëri.
Mehmeti akuzoi para vdekjes praktikat shfrytëzuese të rrjetit të mikrokredive duke denoncuar mënyrën sesi ato vepronin në mënyrë abuzive.
Si bllokonin të ardhurat duke shkatërruar jetën personale dhe deri atë profesionale.
Por pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për të kërkuar ndihmë nga institucionet, zëri i tij u injorua në mënyrë sistematike.
Vdekja e Mehmetit, e cila erdhi në kulmin e kësaj beteje personale, po shihet tashmë nga miqtë dhe kolegët e tij si e dyshimtë dhe ndoshta e orkestruar.
Ata janë të bindur se ai kishte arritur të grumbullonte të dhëna të ndjeshme mbi personat që qëndronin pas kësaj skeme shfrytëzuese, duke e vënë veten në shënjestër të atyre që përfitonin nga këto veprime të errëta.
Mehmet Kadrija ka ndërruar jetë në verën e vitit 2023 në rrethana misterioze, në mes të një përplasjeje me MCA.
Olsi Ibro, i dyshuar si organizatori i skemës, ka ndërruar jetë një vit më pas në rrethana akoma të paqarta të një vetëvrasjeje.
Pikëpyetje të shumta ngrihen mbi këto vdekje, të cilave shteti duhet t’u japë përgjigje.