Familja Lici u goditën për herë të parë brenda familjes së ngushtë në vitin 2018, kur u ekzekutua Fatbardh Lici, vëllai i Mustafës dhe xhaxhai i Ibrahimit.
Ngjarja, kishte pasuar atentatin ndaj ish policit Boran Bërçama, një njeri mjaft i afërt me familjen Bajri. Ai u ekzekutua brenda makinës me partneren Silvi Ndoci, në sy të fëmijës së tyre të mitur që kaloi natën nën gjendje shoku i vetëm. Ngjarja nuk u zbardh kurrë edhe pse gishti u drejtua aso kohe tek Ibrahim Lici. Që nga ajo kohë, ai është shndërruar në objektivin kryesor të grupit rival, duke e konsideruar rreziku numër 1.
Në vitin 2018 u eliminuan njëri pas tjetrit Arjan dhe Fatos Ferracaku, kushërinj mes tyre. Ata njiheshin si miq të Astmer Bilalit, ish-kampionit të boksit që konsiderohet krahu i djathtë i Behar Bajrit.
Bilalit i eliminojnë në vitin 2019 në një atentat babain dhe xhaxhain e tij. Këto ngjarje, nuk u zbardhën edhe pse përherë gishti ishte vënë mbi shtetasin Ibrahim Lici, i njohur si “Braçja i Kirasit”. Nga hulumtimi mbi dosje SKY, lindin dyshime se viktima e atentatit të Dobraçit, Hamza Lici ka qenë shënjestër e Astmer Bilalit, si hakmarrje për vrasjen e babait dhe xhaxhait të tij. Pra, edhe Hamza Lici, njëjtë si viktimat e fisit Bilali nuk kishin asnjë lidhje me veprimtaritë kriminale, por janë eliminuar për përkatësitë familjare.
‘Astmeri shprehet që ka mundësi me ma nxjerrë dikush ‘Hamzanë’, kam folur mbrëmë me dikë, ma premtoi se ma nxjerrë, po shohim, ishalla…”
Pasazhi i transkripteve të SKY, që dyshohet se flitet për eliminimin e Hamza Licit bën fjalë për vitin 2020. Nuk dihet nëse plani ka qenë aktiv së fundi apo jo. Ajo që mbetet ende për tu parë rreth historisë së konfliktit është verifikimi transkripteve SKY të Ibrahim Licit, gjithmonë nëse janë indentifikuar kode që i ka përdorur ky personazh. /Insidestory