Një muaj më parë Vlora ishte nën pushtetin e ujit duke shënuar përmbytjet më të mëdha që kanë ndodhur ndonjëherë në qytet.
Tashmë duket se situata është kthyer drejt normalitetit por pasojat e dëmeve janë të mëdha.
Shumë banesa dhe biznese u përmbyten dhe dëmet arritën në miliona lekë, pavarësisht premtimeve se do të dëmshpërblehen, kjo ende nuk ka ndodhur.
Drejtori i emergjencave civile, Adrian Vreshtazi, tha se Bashkia e Vlorës ka një fond prej 17 milionë lekësh për dëmshpërblimet nga fatkeqësitë natyrore, por përmbytjet kanë shkaktuar rreth 60 milionë lekë dëme.
“Bashkia e Vlorës ka një fond për dëmshpërblimet nga fatkeqësitë natyrore dhe ky fond është 17 milion lekë, ndërkohë qe nga llogaritjet për dëmshpërblim të dëmeve duhet rreth 60 milion lekë të reja, të cilat do të merren nga qeveria, ndërkohë që deri në miratimin e fondeve për të shkuar në ndihmë të banorve duhen 2 muaj”, tha Vreshtazi.
Ndërsa prefekti i Vlorës, Kristo Kiço tha se bashkia nuk i ka të gjitha fondet për dëmshpërblim, por prefektura do të kujdeset për të rregulluar kanalizimet.
“Për të dëmshpërblyer familjarët ne si prefekturë jemi në tratativa me qeverinë, pasi bashkia e Vlorës nuk i ka te gjitha fondet. Ne si prefekturë duhet të bëjmë punën për të rregulluar kanalet e ujërave të larta pastrimeve por dhe prishjen e ndërtimeve pa leje”, u shpreh Kiço.
Përmbytjet në Vlorë shkaktuan dëme të mëdha materiale tek banorët. Tashmë, 1 muaj pas fatkeqësisë natyrore, ata po presin dëmshpërblimet nga fatkeqësitë natyrore.