
SPAK ka zbardhur SKEMËN se si e paguante Vodafone çiftin Meta -Kryemadhi përmes UNIFI Dëshmitë e dhëna në SPAK nga një serë personash që kanë qenë dëshmitarë apo persona qëkanë negociuar për llogari të interesave të çiftit Meta-Kryemadhi kanë zbuluar në fakt edhe mënyrën se si ka vepruar kompania Vodafone Albania për të kënaqur orekset e dy politikanëve duke iu transferuar atyre shuma të mëdha parash përmes një kontrate gjoja legjitime biznesi siç ishte ajo e tranzitimit të thirrjeve ndërkombëtare nga UNIFI në shërbim të Vodafone Albania ndërkohë që në lojë më herët ishte pikërisht Info Telecom.
Korrieri ka konsultuar dosjen dhe nga dëshmitë rezulton se pikërisht Info Telecom edhe pse ishte vetë në këtë treg, kanë shërbyer për çiftin Meta-Kryemadhi duke ofruar akses teknik si edhe njohjesh me krerët e Vodafone në mënyrë që Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi të merrnin “copën” e tyre nga tregu i madh i tranzitimit të thirrjeve përmes kompanisë UNIFI te Adrian Shatkut.
Kemi të bëjmë me një rast të mirëfilltë korrupsioni aktiv nga Vodafone Albania dhe pasiv nga çifti Meta-Kryemadhi pasi provat e SPAK konfirmojnë se ata kanë përdorur pushtetin e tyre për të bërë lidhjen me Vodafone.
Nuk dihet arsyeja se përse SPAK nuk ka nisur hetim për korrupsion aktiv për krerët e Vodafone, ndoshta këtu vlen i njëjti arsyetim si edhe për Samir Manen, siç është parashkrimi i veprës penale.
Pra, vepra penale ka ndodhur, por për shkak se ka kaluar më shumë kohë se sa do të ishte dënimi penal, ajo nuk mund të hetohet më.
Ndërkohë, Vodafone nga ana tjetër ka kërkuar nga Monika Kryemadhi, sipas dosjes së SPAK, që të përdorë lidhjen me çiftin Meta-Kryemadhi dhe aksesin e tyre te Piro Xhixho në krye të AKEP që t’i hapin rrugë interesave të tyre në treg duke goditur në këtë rast kompaninë Plus ku aksioner kryesor ishte Samir Mane. Nga ana tjetër, Samir Mane shkon dhe korrupton çiftin Meta-Kryemadhi me një vilë për të hapur rrugën e PLUS përmes AKEP, për të miratuar një ligj klientelisht mbi minierat dhe për të bllokuar ekzekutimin e një procedure përmbarimi.
Dosja zbulon një luftë të madh interesash, të cilat herë herë përputhen dhe herë herë përplasen, mes Monika Kryemadhit, Ilir Metës, Marin Gjonajt dhe Samir Manes, ndërkohë që “xholi” që firmos ligjërisht edhe pikërisht Adrian Shatku.
Gazeta Korrieri ka konstatuar sipas dëshmive të personazheve në fjalë, kompania Info Telecom e Marin Gjonajt ka shërbyer që UNIFI e Adrian Shatkut ku kanë interesa direkte Meta dhe Kryemadhi, të lidhet me rrjetin e Vodafone për të mundësuar shërbimin e tranzitimit të thirrjeve nga rrjetet ndërkombëtare në rrjetin e Vodafone duke gjeneruar dhjetëra mijëra euro në javë. Por, që të ndodhte kjo, duhej miratimi i drejtorëve të Vodafone.
Të cilët sipas dosjes, janë bindur si edhe prej nevojës për të patur mbështetjen e Metës dhe Kryemadhit sepse ata në atë kohë kishin në dorë AKEP-in, institucion që kishte ekskluzivitetin e rregullimit të tregut të telekomunikacionit. /korrieri