![](https://gazetakorrieri.com/wp-content/uploads/2024/10/900-0-1730045781xaaajpg-639.jpg)
Futja e Behar Bajrit në linjat e trafikut të kokainës, duke përdorur rrugët e sigurta të ngritura nga Amerika Latine ishte një “udhëzim” që vinte për Ervis Martinajn nga burgu “313” në Tiranë. Personi në fjalë, i cili nuk është zbuluar ende me emër nga mesazhet, kishte kaluar kohë në qeli me Behar Bajrin. Kështu që kur ka dalë nga qelia, Behar Bajri i ka kërkuar Martinajt që ta përfshijë në tregun e shitjes së kokainës. Gazetari i “Ora News”, Elton Qyno ka mësuar se personi është i njëjti individ që i linte në përdorim telefonin “Sky” Behar Bajrit, gjatë kohës kur qëndronte në paraburgimin Nr.313. Telefoni përdorej nga Behar Bajri për të komunikuar edhe me biznesmenin Pëllumb Gjoka, i cili po negocionte me disa njerëz të drejtësisë për lirimin nga burgu të anëtarit të një prej familjeve më në zë të Shkodrës.
Behar Bajri, ka mundur të dalë nga burgu në 29 qershor 2020 dhe sërish ka rënë në kontakt me Ervis Martinajn, kësaj here me telefonin e tij që kishte të instaluar aplikacionin “SkyECC”. Por nga sa kuptohet nga biseda, “negociatat” nuk ishin në kohën më të mirë për Martinajn, të cilit sapo i ishte vrarë shoku i tij më i mirë, Bujar Lika. Me ngjarjen e ndodhur, biznesmeni Ervis Martinaj kishte braktisur Tiranën dhe ishte vendosur në Fushë Kuqe. Mesa duket dilte rrallë për shkak se Bajri ka shkuar vetë tek Ervis Martinaj për ta takuar në biznesin e tij, tek hotel “Arbëria Palace”.
Në mëngjesin e 10 korrikut 2020 Behar Bajri i shkruan Ervis Martinajt, duke zhvilluar së bashku këtë bisedë si më poshtë vijon:
Behari Bajri: …Si je shok…?
Martinaj: Ça të bajm…ti si ke shku…?
Behar Bajri: …mirë, po rimë këtej tu u marë me këto kurva me jan ndry si minjtë mrëna…
Ervis Martinaj e këshillon Beharin duke i thënë: …mos nxito, nji her o shok…
Behar Bajri: …në lagje tu ju ndenjt kurvave, nuk kanë se dalin. Veç mrena, jan nry në dhoma rina…po hajt ishadha e qesin kryt dikun…Po ti si i ke pas punët…?, Ai shoku më shkrojti…
Martinaj: Hëë…!
Behar Bajri: …a po na ndihmon najgja, naj punë…kur po takojna prej afër se me celular su flitka me ty, se të kthen mas 3 orëve…
Martinaj:…kur të fus nji punë të fortë, do të fus e ty, 100 copë…
Behar Bajri:…o shok, nuk jam bubs unë…por të erdha për respekt dhe të takova dhe u shtyva si me të hek armiqt e me ti ba miq…se nuk jam njeri si i rri kujt, si çadër…
Martinaj: …100 copë të bardha them…ça ndihme e ke fjalën ti…?
Behar Bajri: …o vlla, po kam met tu të shkru…
Martinaj: …nuk e mbaj telefonin me vete… *i tregon se e lë tek hoteli
Behar Bajri: …nuk asht puna tek nima mar shok, unë jam menduar për mirë për ty…ti s’je në kushte me lan telefonin tek hoteli. Je në kushte me majt telefon afër, por ti din çfarë ban. Unë të erdha… tesh të takon ty me ardhë…buk e kryp e zemër, kam edhe unë…
Atë natë Martinaj nuk i përgjigjet, i shkruan një ditë më pas, në mëngjesin e 11 korrikut 2020
Ervis Martinaj:…O Behar, s’mu ka vra qeni, mu ka vra njeriu më i afërt i jetës. Kam qënë tu ec nëpër det e mal, tu mendu kaq, ndaj e lej telefonin tek hoteli…
“Në këtë periudhë Ervis Martinaj ka qënë i tronditur për vrasjen e Bujar Likës në Mamurras, ndaj nuk ishte fort në terezi në komunikimin me Behar Bajrin, i cili i kërkonte shpjegime se me të nuk flitej, pasi i kthente përgjigjet në “Sky” me shumë vonesë. Vetëm 4 muaj nga kjo bisedë, në datën 27 tetor 2020, Ervis Martinaj bisedon në aplikacion “Sky” me Behar Bajrin, për të ndarë muhabetin nëse do e fuste këtë të fundit apo jo në linjën e trafikun të kokainës që e realizonte nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të porteve të Europës,“-shkruan gazetari.
Kur rinisin të flasin për kokainën, Martinaj i kujton Bajrit, që të qëndrojë diskret dhe të mos i tregojë askujt.
Martinaj: …asnjë s’du që ta dije dhe do bisedojmë bashkë këto tre ditë. Munesh me fut sa të kesh takat ti…
Behar Bajri:…aaaa, a kena Garanci…?
Si u vra Bujar Lika?
Mbrëmjen e 30 majit në qytetin e Laçit, në një hotel u vranë Bujar Lika dhe Paulin Gjergji, ndërsa gjatë shkëmbimit me armë zjarri njëri nga autorët mbeti i plagosur. Pas më shumë se 3 javësh policia arrestoi Eduart Lamajn teksa mjekohej ilegalisht në spitalin privat “Amavita” në Tiranë. Ishte dëshmia e tij që vuri hetuesit në gjurmët e bashkëpunëtorëve. Për këtë ngjarje u dënua me burg përjetë Eduart Lamaj dhe dy të tjerë, bashkëpunëtorë të tij janë shpallur në kërkim, por nuk janë vënë akoma në pranga. Biznesmeni në fushën e mobilerisë, Bujar Lika, njihej me emrin Ari dhe me mbiemrin Hasani dhe në zonë konsiderohej si një nga personat më të afërt të Martinajt. Ai dyshohej si i përfshirë në një ngjarje kriminale në Linzë, ku mbeti i vdekur Enton Nikaj. Për vrasjen e Nikajt u dënua me 1 vit burg.