Mbrëmjen e djeshme, një tërmet me magnitudë 4 dhe një thellësi prej 5 km tronditi qytetin e Fierit, ndërsa lëkundjet u ndjenë edhe në Vlorë. Epiqendra e tërmetit ishte në fshatin Kurjan dhe goditja u regjistrua në orën 19:32. Fatmirësisht, nuk ka raportime për të lënduar apo dëme materiale, megjithëse frika shtyu qytetarët të dilnin në rrugë.
Në fshatin Kuman, banorët dolën jashtë për disa minuta pas lëkundjeve, por nuk raportohen dëme. Kryeplaku i fshatit, Tomorr Metani, tha: “Tërmeti u ndje, njerëzit dolën nga shtëpitë. Ishte mbi katër ballë, por dëmet do t’i shohim nesër nëse ka. Goditja ishte e fortë, edhe pse zona jonë është mësuar me tërmete.”
Një banore tjetër përshkroi situatën: “Nuk pati dëme, por lëkundja ishte e fuqishme dhe dolëm nga banesa nga frika.”