Policia e Tiranës ka reaguar pas lajmit të publikuar në disa media se midis nxënësve po qarkullon një lloj i ri droge në formën e çamçakëzit.
Policia thotë se menjëherë janë njoftuar të gjithë stafet pedagogjike dhe kanë nisur kontrollet për verifikimin e këtij rasti.
“Në lidhje me një lajm të publikuar ditën e sotme, në disa media dhe portale, në të cilin thuhet se në një shkollë në Tiranë, është evidentuar rasti i përdorimit të një çamçakëzi që përgjum fëmijët, ju informojmë se:
Shërbimet e Policisë menjëherë pas publikimit kanë marrë kontakte me drejtuesit dhe stafet pedagogjike të të gjitha shkollave të Tiranës, dhe po ushtrojnë kontrolle për verifikimin e rastit në fjalë.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë i bën thirrje të gjithë qytetarëve të njoftojnë menjëherë Policinë në rast konstatimi të këtyre substancave.
Vijon puna për sqarimin e rrethanave të këtij rasti të publikuar”, njofton policia.
Sipas raportimeve, mësuesja e një shkolle 9-vjeçare në Tiranë ka lajmëruar prindërit e nxënësve të një klase, pasi është identifikuar një substancë që ka formën e një çamçakëzi dhe që përdorej nga disa fëmijë.
Mësuesja ka konstatuar se nga përdorimi i këtij “çamçakëzi” fëmijët pësojnë një gjendje përgjumjeje dhe është e dëmshme.