Deputeti socialist i Shkodrës Agron Çela, dikur një prej njerëzve më të besuar të ish- Presidentit Ilir Meta ka përfituar para nga DIA e Kastriot Ismaliajt në një kohë kur shoqëria ku ai ishte aksioner nuk ka dhënë asnjë shërbim, shkruan Gazeta Korrieri.
Kjo e dhënë rezulton në dosjen e SPAK, ku konkretisht thuhet:
“Në lidhje me shoqërinë BTT me ortak të vetëm shtetasin Shpëtim Shehu, e cila ka përfituar nga shoqëria DIA shumën prej 16.800.000 lekë hetimi ka provuar se kjo shumë ka pasur si përfitues fundor shoqërinë ‘Xhenis’ shpk, me ortak shtetasin Agron Çela i cili në vitin 2013 zgjidhet deputeti i Kuvendit të Republikës, si përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim”.
Prokuroria e Posaçme argumenton më tej se hetimi ka provuar që përfitimi i këtyre parave është bërë pa ofruar nga shoqëria “Xhenis” apo BTT as edhe një shërbim apo mall të vetëm te shoqëria DIA. SPAK nuk sqaron nëse janë duke u zhvilluar hetime ndaj Agron Çelës po fakt është që deputeti që hyri në Kuvend nën siglën e LSI-së së Ilir Metës bëri shpejt divorc politik me këtë të fundit për motive që nuk u bënë kurrë publike.