Seksioni i imigracionit në Gjykatën e Romës vendosi këtë të premte që emigrantët, të cilët mbërritën dy ditë më parë në portin e Shëngjinit me anijen “Libra” të Marinës italiane, të rikthehen në Romë, pasi Bangladeshi dhe Egjipti nuk janë “vende të sigurta”.
Edhe pse kërkesa për azil e 12 emigrantëve që u vendosën në Gjadër është refuzuar nga vendi fqinj, sipas vendimit të Gjykatës së Romës ata do të duhet të kthehen mbrapsht dhe do të kenë 14 ditë kohë për të apeluar vendimin.
Vendimi i Gjykatës së Romës është një zhvillim i brendshëm i shtetit Italian që bazohet në një vendim të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë më 4 tetor për azil kërkuesit e vendeve të pasigurta.
“Dy vendet nga vijnë emigrantët, Bangladeshi dhe Egjipti, nuk janë të sigurta edhe në dritën e vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë”, argumentojnë gjyqtarët e Romës, sipas të cilëve gjendja e lirisë mund të rifitohet vetëm me kthimin e tyre në Itali, ndërsa për magjistratët mungon “titulli” me të cilin mund të vijojnë emigrantët të mbahen në Shqipëri.
Teksa pritet që një anije t’i marrë 12 emigrantët të shtunën për t’i dërguar në Bari, në Itali ka shpërthyer debati politik, pasi kryeministrja Giorgia Meloni e akuzon opozitën për veprime te turpshme në dëm të vendit.
Meloni, e cila pasi mori lajmin gjatë vizitës së saj në Liban, komentoi për mediat vendimin e gjykatës duke thënë: “Është e vështirë të punosh dhe të përpiqesh t’i japësh përgjigje këtij kombi kur ke edhe kundërshtime nga një pjesë e institucioneve”.
“Unë nuk mendoj se është përgjegjësi e gjyqësorit të përcaktojë se cilat vende janë të sigurta dhe cilat jo. Është përgjegjësi e qeverisë, kështu që mendoj se qeveria duhet të sqarojë më mirë se çfarë do të thotë një vend i sigurt”, shtoi kryeministrja italiane teksa foli nga Bejruti.
Ndërkohë, reagimi nga ana e ministrit të Brendshëm italian, Matteo Piantedosi ishte më i qetë.
“Ne respektojmë vendimin e gjyqtarëve. Ne do të luftojmë brenda mekanizmave gjyqësorë. Betejë në kuptimin e afirmimit në aspektin ndërkombëtar, evropian dhe kombëtar. Do apelojmë dhe shkojmë në Gjykatën e Lartë. Këtu e drejta e qeverisë për të aktivizuar procedurat është të mohohet përshpejtimi. Bëj në një muaj atë për të cilën do të duheshin tre vjet”, deklaroi ai.
Sipas Piantedosit, qendrat pritëse të emigrantëve në Shqipëri, do të jetë një model i BE-së në të ardhmen e afërt. “Jo vetëm që do të ecim përpara me apelimet gjyqësore por do të ecim përpara edhe me këto nisma sepse nga viti 2026 ato që Italia po zbaton në Shqipëri dhe jo vetëm atje, do të bëhen ligj europian”, theksoi ai.
Për sa i përket reagimeve nga partitë politike në Itali, “Lega Nord” ishte e ashpër duke goditur sistemin e drejtësisë.
“Gjyqtarët pro emigrantëve duhet të kandidojnë në zgjedhje, por dijeni se nuk do të frikësohemi”, thuhet në një shënim zyrtar nga partia e Salvinit.
Ndërkohë nga partia e Melonit, “Vëllezërit e Italisë”, vendimin e pritën duke thënë: “E majta gjyqësore ndihmon të majtën parlamentare”.
Sakaq nga opozita janë më optimistë, me sekretaren e Partisë Demokratike, Elly Schlein që tha se “kemi paraqitur një pyetje për kostot e marrëveshjes me Shqipërinë”.
“E thamë, jo se jemi vizionarë, por sepse lexojmë rregullat. I drejtohem Giorgia Melonit: ndalo dhe kthehu pasi je e detyruar të kthesh në Shqipëri personat që ke dëbuar. Ka një humbje për thesarin e shtetit”, tha Schlein.
“Turp! Më shumë se një model, marrëveshja e bërë me Shqipërinë është një marrëveshje e paligjshme, një marrëveshje që shkel të drejtën ndërkombëtare. Falënderoj deputetët që shkuan dhe panë qendrën në Gjadër. I gjithë mekanizmi nuk qëndron në këmbë. Janë 800 milionë euro të humbura që mund të përdoreshin për shëndetësi”, shtoi liderja e së majtës italiane.
Sakaq, vendimi i Gjykatës së Romës, i ngjashëm me të tjerë të miratuar tashmë nga gjyqtarët e qyteteve të ndryshme italiane, vë në dyshim themelin e gjithë paktit Rama-Meloni për emigrantët nga Afrika, për të cilin qeveria italiane ka parashikuar të shpenzojë mbi 600 milionë në pesë vite.
Supozimi nga i cili lindën rregullat e nisura nga ministri Piantedosi është se riatdhesimet mund të ndjekin një procedurë të përshpejtuar (4 javë) kur ato kanë të bëjnë me qytetarët e një liste vendesh të konsideruara “të sigurta” dhe që për rrjedhojë nuk shkaktojnë kërkesa për azil.
Megjithatë, vendimi i Gjykatës së Drejtësisë përcaktoi se kjo kërkesë plotësohet vetëm nga kombet në të cilat të gjitha kategoritë e individëve, pa përjashtim, janë të sigurta nga diskriminimi.
Shumë nga 22 vendet e identifikuara si “të sigurta” nga Italia nuk e kanë këtë status, prandaj ekziston pamundësia e mbajtjes së të huajve në kampin e Gjadrit.