Një 59-vjeçar është arrestuar në Elbasan, pasi ka plagosur me thikë një 26-vjeçar. Sipas policisë, 59-vjeçari në gjendje të dehur ka goditur të riun dhe pasi ky i fundit ka shkuar në spital për të marrë mjekim, mjeku roje e ka fshehur ngjarjen.
Po ashtu, është lëshuar një urdhër ndalimi për mjekun roje me iniciale K.D, 32 vjeç, pasi ai nuk ka shkruar mjekimin në kartelën mjekësore të të riut.
“Zbardhet ngjarja e ndodhur mesnatën e djeshme, ku një shtetas tentoi të vriste me mjet të mprehtë, një 26-vjeçar, ndërsa në pranga ka rënë autori dhe është ndaluar mjeku i spitalit ku mori mjekim 26-vjeçari.
Policia sqaron se pas marrjes së njoftimit se në lagjen “Haxhias”, një shtetas kishte plagosur me mjet prerës një 26-vjeçar, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i reagimit në kohë dhe i veprimeve të shpejta operacionale dhe inteligjencës policore, në kuadër të operacionit policor të koduar “Mesnata”, është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi, lokalizimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar shtetasit A. K., 59 vjeç, banues në Elbasan.
Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi A. K., mesnatën e djeshme, në lagjen “Haxhias”, në gjendje të dehur, ka tentuar të vrasë me mjet të mprehtë (thikë) shtetasin D. B., 26 vjeç, banues në Elbasan, i cili ka shkuar në spital për ndihmë mjekësore.
Po nga veprimet hetimore ka rezultuar se mjeku i rojes, në spitalin ku ka marr mjekim 26-vjeçari, nuk ka shënuar në kartelën mjekësore asnjë informacion mbi mjekimet e dhëna të pacientit. Për këtë arsye Prokuroria ka urdhëruar ndalimin e tij.
Urdhër ndalimi i Prokurorisë është ekzekutuar nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, të cilët kanë ndaluar mjekun roje në spitalin ku ka marrë mjekim 26-vjeçari, shtetasin K. D., 32 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës””, njofton policia.