Grupet kriminale shqiptare shfrytëzuan risitë teknologjike për të qenë një hap përpara autoriteteve. Nga telefonët e enkriptuar te dronët me kapacitete transportuese, krimi shqiptar modernizoi ndjeshëm mjetet dhe metodat e organizimit duke fituar siguri dhe përparësi në aktivitetet e tyre të jashtëligjshme.
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme, kryesisht dosjet “Metamorfoza”, treguan se telefonët me aplikacione të komunikimit të koduar ishin kthyer në mjete thelbësore për organizimin e vrasjeve, trafikut të drogës, armëve, pastrimit të parave dhe korrupsionit.
Telefonët e papërgjueshëm u përhapën në botën e krimit pas vitit 2010 kur nisën shërbimet platformat e para PGP nga Ennetcom për BlackBerry dhe Phantom Secure, Ciphr, IronChat, EncroChat dhe Sky ECC për Samsung e iPhone.
Pikërisht zbardhja e bisedave të gjurmuara në rrjetin e Sky ECC, – i thyer dhe mbyllur nga autoritetet në Holandë, Belgjikë e Francë, – ndihmoi Prokurorinë e Posaçme në zbërthimin e plot 32 ngjarjeve dhe procedimin e 76 personave si të dyshuar për lidhje me të paktën 7 grupe të rrezikshme kriminale. Shteg ka analizuar dosjet hetimore të cilat tregojnë se investimet e kryera nga grupet kriminale kapin shifra të konsiderueshme në teknologji, ku falë zbërdhimit të bisedave të inkriptuara u mësua se si operonte krimi në Shqipëri.
Investime për “punë high-tech”
Telefonët e papërgjueshëm konsideroheshin të domosdoshëm nga grupet kriminale. Ato garantonin siguri në komunikim sidomos në organizimet e narkotrafikut dhe vrasjeve. Këto pajisje, – kushtonin 3,000-5,000 euro bashkë me abonimin në varësi të platformës dhe modelit, – mund të jepeshin dhe hua apo dhuratë në raste të atilla kur dikush angazhohej si vëzhgues për një atentat, si ndërlidhje me dikë që mund të ndodhej në burg apo për një zyrtar që duhej “për punë”.
Hetimet tregojnë se pranverën e vitit 2020 Behar Bajri përdorte telefonin Sky ECC të Emiljano Shullazit për të biseduar nga qelitë e paraburgimit “Jordan Misja” me sipërmarrësin Pëllumb Gjoka, i cili interesohej për ta liruar falë ndikimit dhe kontakteve të prokurorit Xhevahir Lita. Në një rast tjetër, në korrik 2020, shoferi i Gjokës, Edmond Ndreka, jepte telefonin e tij Sky ECC zyrtarit të lartë të policisë me nofkën “Zeqo”, i cili i përcillte informacione Gjokës në favor të Bajrit.
Në gusht 2020, Bujar Ajeti i ka dhuruar Erzen Breçanit telefon Sky ECC pasi ky i kishte siguruar informacione për një lokal ku dyshohej se ishte përgjuar. Telefoni ishte i Nuredin Dumanit. Ky ia kishte dhënë për përdorim Enver Divës për një atentat në Tiranë. Dy kodet e përdorimit që Dumani përdorte ishin “Cimicimi” dhe “Qabone”.
Përdorimi i të njëjtit telefon për njëfarë kohe rezulton edhe mes Hektor Xheçukës dhe Florenc Kelmendit, Ervis Martinajt dhe Erigers Mihasit, apo dhe Deivis Bajramajt dhe Albert Zajës.
Por telefonët nuk ishin investimi i vetëm në teknologji. Sistemet e kamerave online DVR, pajisjet gjurmuese GPS, apo dhe dronët me rreze të madhe fluturimi janë një pjesë tjetër e logjistikës “high-tech” që grupet kriminale rezulton se përdornin për të organizuar narkotrafikun, vëzhgimet apo dhe atentatet.
Në rastin e një atentati me eksplozivë më 15 shtator 2020, Elson Reçi kuptohet në komunikimet Sky ECC se për t’i monitoruar lëvizjet viktimës i kishte vendosur makinës gjurmues GPS ndërsa eksplozivin e kishte shpërthyer me detonator të komandueshëm në distancë prej së paku 100 metra.
Përdorimi i pajisjeve gjurmuese GPS është i diskutueshëm mes grupeve kriminale për faktin se përgjithësisht pajisjet e vogla GPS mbajnë pak ditë bateri. Mirëpo, sikurse tregon Ismail Zeneli në një bisedë të shkurtit 2021 me Bujar Ajetin teksa grupi i tij po ndiqte familjarët e personave nën shënjestër: “…ka GPS që rrinë edhe tre muaj, çfarë nuk ka!”.
Në nëntor 2020, Aleks Ndreka, i njohur si “Leksi i Druve” sugjeron në një bisedë me Prekë Kodrën që për një atentat për llogari të Behar Bajrit mund të përdornin një GPS që mund t’ia vendosnin në një motoskaf, të cilin viktima e mundshme ishte interesuar për ta blerë.
“Ka me dalë në liqen [të Shkodrës] dhe me një motor uji të shpejtë e zen dhe s’ka ku me të ik, mundësisht me u vesh sikur policët e kufirit,” – shprehet Ndreka “I vejmë një GPS me numër në të dhe sa herë ka korrent jep sinjal se ku është, është sa një kuti shkrepseje”.
Në raste të tjera grupet interesohen edhe për pajisje kamerash të atilla që mund të përcjellin pamje direkte nga vendndodhja në telefonë. Në qershor 2020, Klodor Haka i sugjeron Pëllumb Gjokës, i cili dyshohet se kishte porositur ndjekjen e një personi për ta vrarë, që t’i parkojnë një makinë në zonën ku banon dhe në bagazhin e saj t’i montojnë një pajisje kamerë DVR.
“Në bagazh me kartë, me internet mujor, me e pasë online gjatë gjithë kohës. Ashtu e ke në kontroll se e ke online në kohë reale,” – këshillon Haka.
Grupi i Leonard Dukës, i cili ishte në konflikt me Ervis Martinajn, investon në një drejtim tjetër. Në gusht 2020 Leonardi udhëzon Drianto Bardhin të blejë një dron të aftë për të ngritur deri në 12 kg peshë dhe të ishte i pajisur me kamera “infrared”. Nga bisedat nuk është e qartë se përse grupit i interesonte një dron i tillë, por specifikat e kamerës dhe fuqia për të mbajtur peshë lë të mendohet se droni do të përdorej natën, me gjasë për të lëvizur narkotikë, apo dhe armët e rënda për të cilat vëllezërit Duka thonë se do të përdorin në një atentat të mundshëm ndaj Martinajt dhe njerëzve të tij. Në një episod grupi tregon se ka blerë një snajper të kalibrit të rëndë, i cili për shkak të madhësisë mund të lëvizej vetëm me furgon.
Paralelisht vëllezërit Duka kanë diskutuar si variant për të shtënë në dorë informacione direkte rreth Martinajt përmes hakerimit të telefonit të tij. Erlis Duka i thotë të vëllait Leonardi se një kontakt i tiji di se në çfarë vendi merr telefonët Martinaj dhe në momentin kur ai të kalojë për të marrë një telefon të ri “t’i instalojnë një program monitorues”. Me këtë variant Erlisi theksonte se Martinaj mund të “kapej i gjallë”.
Makina, lokale dhe skemat si pastroheshin paratë
Për shkak të hasmërive grupet kriminale në Shqipëri ruheshin duke kufizuar lëvizjet kryesisht në zonat, apo lokalet ku ata kishin influenca. Hetimet e Prokurorisë së Posaçme tregojnë se ato kishin investuar për sigurinë duke blerë makina të blinduara.
Vëllezërit Durim e Valter Bami, të cilët ndiqeshin nga grupi i Lezhës, Kurbinit, Shijakut apo dhe Shkodrës, mbanin makina luksoze si Mercedes-Benz, BMW, apo Range Rover, ku të paktën dy prej tyre thuhej se ishin të blinduara. Sipas komunikimeve në Sky ECC, ndjekësit e vëllezërve Bami kishin identifikuar dy makina BMW të blinduara, ku njëra prej tyre kishte targa ruse.
Në grupin e Shkodrës, Behar Bajri rezulton nga bisedat se, pas daljes nga burgu në vitin 2020, kishte porositur dy makina Audi të blinduara. Ato i ishin bllokuar nga autoritetet shqiptare dhe për këtë Bajri kërkonte angazhimin e prokurorit Xhevahir Lita për t’ia zhbllokuar kundrejt 10 mijë eurove që ofronte për ryshfet.
Në “Klanin Duka”, sipas Altin Gegës, Leonard Duka kishte një Mercedes-Benz E-Class të blinduar, i cili përdorej nga grupi sa herë shihej e arsyeshme për lëvizje jashtë Tiranës. Një automjet të ngjashëm “E-Class” thuhet se e përdorte dhe një zyrtar i identifikuar me emrin “Olci/Olsi/Olti” i cili sipas grupit garantonte për Ervis Martinajn sigurinë.
“[Visin] po e ruan Olci bashkë me shtetin, se i rrinë nga mbrapa nga 20 makina,” – thotë në një bisedë Leonard Duka.
Makinat e blinduara blihen me porosi. Kostot variojnë nga lloji, struktura, marka dhe niveli i blindimit. Për makina të larta, markë apo model luksoz kostot shkojnë deri në dyfishin e vlerës së të njëjtit model në versionin standard duke shkuar në vlera 75-150 mijë euro.
Marka “Range Rover” rezulton më e përdorura ndër grupet kriminale të përmendura në dosjet “Metamorfoza”, më pas vijnë markat BMW, Mercedes-Benz dhe Volkswagen kryesisht modelet Golf.
Ndryshe të dhënat e përcjella mes “Klanit Duka” tregojnë se në Vlorë njerëzit e afërt të Fatmir Hysenit preferonin markën amerikane të makinave të luksit, Lincoln. Në shtator të vitit 2020, të paktën dy makina, njëra prej tyre me targa greke, konsiderohen nga Erlis Duka nën vëzhgim prej grupeve rivale duke shtuar në informacionin që i përcjell vëllait, Leonardit, se “dyshojnë që lëvizim ne me ato të Vlorës”.
Sipas komunikimeve në Sky ECC, vëllezërit Bami me grupin e Niklës frekuentonin disa komplekse dhe restorante në zonën e Bubqit dhe Fushë-Krujës ku të paktën një prej tyre, sipas Behar Bajrit, ishte i tyre. Ata ishin investitorë në një hotel pesëkatësh në Rinas dhe pronarë të një lokali tjetër në Komunën e Parisit në Tiranë. Gjatë kohës që qëndronin në kryeqytet preferonin zonën e njohur si “Oxhaku” ku përgjithësisht vendoseshin në një lokal pranë rrugës “Xhanfize Keko”.
Në biseda Arben Ndoka paraqitet si pronar i një sipërmarrjeje uji të ambalazhuar, por autoritetet nuk kanë mundur të zbulojnë një lidhje direkte të tij me një sipërmarrje të tillë. Në anën tjetër, Leonard Duka e Ervis Martinaj flasin si bashkë-investitorë të një lokali luksoz në ish-Bllok, një hoteli në Rinas, disa automjeteve dhe pajisjeve të ndryshme për biznesin e basteve sportive. Duka llogarit rreth 7 milionë euro investime në sipërmarrje të përbashkëta me Martinajn në 15 vite miqësi, e cila në vitin 2020 duket qartë të ishte kthyer në hasmëri pas vrasjes në vitin 2019 të Santiago Malkos. Nga diskutimi palët ndahen për një vlerë rreth 2 milionë euro të cilat Duka i vë ultimatum Martinajt që t’ia kthejë brenda një jave.
Për pastrimin e parave grupet kriminale shqiptare hapin kryesisht biznese fiktive. Një shembull të tillë e jep Arian Tuku. Në korrik 2020 në një bisedë me një përdorues të paidentifikuar, ai tregon se të ardhurat nga aktiviteti kriminal i narkotrafikut i pastron duke “xhiruar fatura” nga sipërmarrje fiktive.
“Hap firmë ndërtimi vëlla në Shqipëri, taksat janë lirë fare këtu, fut 6-7 punëtorë në rregull, pret fatura sikur bëjnë punime,” – rekomandon Tuku.
Një vit pas kësaj bisede, “Eurocompany” e cila figuron në emër të Tukut, faturoi një xhiro prej 1.8 milionë eurosh dhe mbi 475 mijë euro fitime.
Një mënyrë tjetër duket të jenë hotelet, të cilat mund të kamuflojnë pas aktivitetin klandestin të lojërave të fatit. Në këtë variant korruptimi i zyrtarëve të forcave të rendit duket se luan rol kyç. Hetimet e Prokurorisë së Posaçme tregojnë rastin ku ish-drejtori Forcës Operacionale, Oltian Bistri, dekonspironte operacionet e policisë në favor të sipërmarrësit Pëllumb Gjoka, Në bisedat e Bistrit ai nënkupton pagesa mujore prej 1,500 eurosh për të dhe zyrtarë të tjerë.
“Punë” dhe “porosi” direkt nga telefoni
Platformat e komunikimeve të enkriptuara lehtësuan koordinimin për trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve. Të sigurt pas telefonit grupet kriminale shqiptare krijuan kontakte dhe linja të ndryshme përtej oqeaneve. Kjo u tregua gjatë hetimeve të SPAK-ut ku zbardhja e bisedave nga platforma Sky ECC zbërtheu grupet e Ismail Zenelit dhe Albert Prengës, të cilët bashkë me Eralbi Breçanin, Besmir Muratin dhe ish-shefin e krimeve të Elbasanit, Dedan Gjonin organizoheshin në Sky ECC me persona të tjerë të paidentifikuar, të cilët mbeten nën hetim.
Nga grupi i Zenelit dallonte Ergys Dashi i identifikuar me nofkën “Pika”. Ky merrte përsipër pazaret dhe nisjet e drogës direkt nga vendet e Amerikës së Jugut, si Ekuadori, Kolumbia apo Brazili. Dashi shfaqej më eksperti. Ai kishte informacione për të gjitha kompanitë ndërkombëtare të transportit. Në biseda rekomandonte Seko, Hapag Lloyd, MSC-Mediterranean Shipping Company apo Maersk, kompani për të cilat zotohej që përmes kontakteve të tij t’u siguronte pa probleme kalimet në vendet tranzite deri në portet e Roterdamit në Holandë dhe Antwerpit në Belgjikë ku Zeneli kishte bashkëpunëtorët e tij.
Dashi tregonte gjithashtu se si mund të fshihej kokaina në kontejnerë. Ofronte disa variante, por për siguri rekomandonte kontejnerët figoriferikë të linjave të frutave ekzotike ku ngarkesat, sipas tij, mund të fshiheshin në pjesën e motorit duke u veshur me letër filmike, e cila e bën të “pakapshme në skaner”.
“Kjo që ju kam nis është kompani! Kisha 4 muaj që bleja banane, është 95% e sigurt si punë,” – shprehej Dashi në një nga komunikimet ku rekomandonte “një rrugë 69 kg” nga Brazili.
Rreth një vit pas këtyre bisedave, në janar 2022, Dashi do të ekzekutohej pas një atentati mafioz në një bar në Guayaquil të Ekuadorit. 34-vjeçari përflitej se gëzonte njohje të zgjeruara mes karteleve. Autoritetet dyshojnë se vrasja e tij ka lidhje me pazaret e drogës.
Grupi i Zenelit duket se i besonte shumë komunikimeve në Sky ECC, aq sa një pjesë e tyre bënin pazare me të tretë pa i takuar kurrë më parë. Eralbi Breçani tregon në biseda se me një pjesë të kontakteve që nisnin ngarkesat njihej vetëm përmes telefonit. Në këto biseda përmenden persona me nofkat Batmani, Mosko dhe Primo, të cilët dyshohet të jenë ortakë në pazaret e drogës, pasi për ta përmendet kuota prej 25% e ndarjes së fitimeve.
Si garanci që porosia të mos dekonspirohej dhe grabitej rrugës, numri identifikues i “kontejnerëve të kontaminuar” mbahej vetëm nga Dashi ose Zeneli, të cilët gjurmonin vazhdimisht përmes platformave online rrugëtimin dhe ua përcillnin grupit vetëm ditën ku organizohej nxjerrja e ngarkesës nga porti fundor. Bisedat tregojnë dhe një praktikë tjetër ku palëve që garantojnë kalimet tranzite u premtohen gjithashtu përqindje nga fitimet, përqindje që në varësi të situatës, sasisë dhe nivelit të vëmendjes nga grupet e tjera mund të shkojë deri në 40%.
Në grupin e Albert Prengës, i cili transportonte kryesisht kanabis nga Spanja me destinacion Gjermaninë, del në pah mënyra se si kryej transporti tokësor i narkotikëve pikërisht duke shfrytëzuar telefonët e enkriptuar Sky ECC. Dy persona udhëtonin me “makinë të pastër” pa drogë dhe vëzhgonin rrugës për pika kontrolli apo prezencë policie. Gjatë gjithë udhëtimit ata komunikonin me Sky ECC dhe makina që transportonte ngarkesën drejtohej sipas udhëzimeve të tyre se si t’u shmangej kontrolleve.
Në këtë veprimtari SPAK dyshon se grupet i kryenin pagesat dhe tërheqjet e parave përmes transfertave nga kompani fiktive të hapura në Spanjë ose përmes sistemit të ashtuquajtur “Hawala”, një rrjet i kahershëm i transferimit të pagesave në të zezë me zanafillë Indinë, por me shumë përhapje në vendet e Afrikës dhe Amerikës së Jugut. Transferimi i parave në këtë rrugë kryhet përmes një rrjeti ilegal dorëzanësish, të cilët mbajnë komisione dhe dalin garant për përcjelljen e shumave përmes bashkëpunëtorëve të tyre në vendet e dëshiruara. Klientëve në këtë rast u përcillet një kod unik sigurie, i cili vlen për të siguruar tërheqjen te bashkëpunëtori.
Historia dhe përmasat e çështjeve “Metamorfoza”
Të paktën 127 persona rezultojnë të përfshirë në komunikimet e zbardhura mes grupeve kriminale shqiptare në platformën Sky ECC prej Prokurorisë së Posaçme. 44 prej tyre (34.6%) nuk janë mundur të identifikohen duke mbetur si kode PIN apo nofka në dosjet hetimore. Megjithatë hetimet për këto çështje të ndara në “Metamorfoza 1, 2, 3” kanë mundur të hedhin dritë në plot 36 ngjarje kriminale të ndodhura mes viteve 2019-2021 dhe të godasin fort disa nga grupet më të rrezikshme të dekadës së fundit në Shqipëri. Ajo që ra në sy nga këto hetime ishte përfshirja e zyrtarëve si bashkëpunëtorë me krimin qoftë duke dhënë informacione po ashtu edhe duke u përfshirë në korrupsion apo dhe trafik droge.
“Metamorfoza 1” nisi pranverën e vitit 2023 pas procedimeve penale “Nr.9” dhe “Nr.41”. Procedimi i parë nisi në janar pas një kallëzimi të bërë nga Lulë Zefi dhe djali i sajë Donald Zefi, të cilët pretendonin se si trashëgimtarë nga Drande Hotaj të një pasurie prej rreth 39 hektarësh truall në Velipojë kishin konstatuar tjetërsime të paligjshme nga trashëgimtarë të tjerë pas të cilëve përfitonte sipërmarrësi Pëllumb Gjoka. Prokuroria e Posaçme nisi hetimet për grup të strukturuar kriminal, falsifikim dokumentesh dhe pastrim parashë.
Por në korrik 2023 këtë çështje SPAK-u e bashkoi me një procedim të tjetër në të cilin përfshihej biznesmeni Gjoka. Ky po hetohej paralelisht që në muajin mars nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), e cila në bashkëpunim me Eurojust, Europol dhe autoritetet gjyqësore franceze, e përfshinin mes të dyshuarve në të tjera aktivitete kriminale ku dallonin korrupsioni, armëmbajtja pa leje, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe sigurimi i kushteve për të kryer vrasjen e Gjin Ndojit (2020), dhe atentatet ndaj Kleant Musabelliut, Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit (2020-2021).
Më 23 korrik 2023 Gjykata e Posaçme miratoi kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e Gjokës dhe 14 të dyshuarve të tjerë: Behar Bajri, Denis Bajri, Ervis Martinaj, Edmond Preka, Klaodor Hakaj, Prekë Kodra, Astmer Bilali, Aleks Ndreka, Bardhyl Mavraj, Eljon Hato, Arsad Bashli, Ardrit Hasanbegaj, ish-shef i Krimeve në Policinë Shkodër, Oltian Bistri, ish-drejtor Forcës Operacionale dhe Xhevahir Lita, ish-prokuror i Shkodrës.
Policia mundi të arrestonte vetëm gjashtë prej të kërkuarve, mes të cilëve tre ish-zyrtarët e forcave të zbatimit të ligjit, sipërmarrësin Gjoka, shoferin e tij Preka dhe ish-sportistin Bilali.
Behar Bajri, i njohur dhe me mbiemrat Bajroviq apo Rustemi, u arrestua në Francë në shtator 2023 ndërsa Aleks Ndreka, i njohur si “Leksi i Druve” u arrestua në Itali në qershor 2024. Prej muajit maj, çështja ndaj tyre është kaluar për gjykim.
Arsad Bashli, Bardhyl Mavraj, Denis Bajri, Eljon Hato, Klaodor Hakaj, Prekë Kodra dhe Ervis Martinaj mbeten në kërkim. Ky i fundit, prej gushtit 2022, është denoncuar si i zhdukur nga familjarët e tij.
“Metamorfoza 2” nisi në muajin prill 2023 pas procedimit penal “Nr.78” të SPAK mbi dyshimin për një grup të strukturuar kriminal që angazhohej në trafik ndërkombëtar droge me linja direkte nga Ekuadori, Kolumbia dhe Brazili. Hetimet ishin përqendruar kryesisht në katër episode ngarkesash të ndaluara në Holandë (446 kg kokainë, 2021), Brazil (69 kg kokainë, 2021), Gjermani (250 kg kokainë dhe 166 kg marijuanë 2021) autoritetet e së cilave dyshonin se porositë ishin kryer nga grupe shqiptarësh.
Ngjashëm edhe në këtë kapitull furnizimi me informacione nga hetimet paralele të BKH-së dhe agjencitë e huaja, regjistruan procedimin tjetër “Nr.158”, i cili në muajin maj iu bashkangjit procedimit të mëparshëm me akuzat për armëmbajtje pa leje, korrupsion ndaj zyrtarëve publikë, tentativë vrasjeje të vëllezërve Albert e Edmond Nela (2020) dhe pastrim parashë.
Më 17 nëntor 2023 Gjykata e Posaçme miratoi kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e Artan Sulejmanit, Albert Prengës, Bajram Grabovës, Ervin Matës, Ismail Zenelit, Besmir Muratit, Bujar Ajetit, Jonida Babametos, ish-oficere e Drejtorisë së Kufirit, Dedan Gjonit, ish-shef i Krimeve në policinë Elbasan, Erzen Breçanit ish-zëvendësdrejtor i Policisë Tiranë dhe djalit të tij Eralbi Breçani.
Nga 11 personat e shpallur në kërkim, policia mundi të arrestojë vetëm 6 prej tyre: tre ish-zyrtarët e forcave të rendit, djalin e Breçanit, Muratin dhe Ajetin, i cili njihej në Kukës edhe si Bujar Gjermizi.
Ismail Zeneli, njohur si Luan Sadria apo “Daja”, i cili krahas angazhimit në narkotrafik kërkonte dhe ekzekutimin e vëllezërve Nela për hakmarrje të vrasjes së vëllait të tij Guxim Sadria, u arrestua në Spanjë në dhjetor 2023. Ai u ekstradua në Shqipëri në gusht të këtij viti.
Prenga, Sulejmani, Grabova dhe Mata nuk u gjetën nga policia. Çështja ndaj këtij grupi u dërgua për gjykim më 7 gusht ku ra në sy fakti se Mata nuk ishte ndër të pandehurit, ndërsa listës i qe shtuar Adrian Cenaj, i dyshuar si bashkëpunëtor në përpjekjet për të organizuar vrasjet e vëllezërve Nela.
“Metamorfoza 3” nisi pas një atentati të dështuar ndaj Aleks Ndrekës në mars 2022 ku SPAK regjistroi procedimin penal “Nr.59” kryesisht mbi bazën e kallëzimit të tij. Deri në vitin 2023 nga rrethana që lidheshin me këtë çështje, por edhe nga dëshmitë e vrasësit të penduar Nuredin Dumani, pati tregues për aktivitetet e 7 grupeve të ndryshme kriminale. Prej kësaj rrjedhe u nisën edhe tre procedime të tjera – “Nr.66”, “Nr.33” dhe “Nr.50”. Hetimet nxisnin dyshime për përfshirje në vrasje, tentativa vrasjesh, trafik ndërkombëtar droge, armësh, korrupsion dhe pastrim parashë. Por pikërisht zbardhjet e komunikimeve nga Sky ECC i dhanë zhvillime këtyre procedimeve. Prej tyre u kuptuan konfliktet dhe lidhjet mes grupeve kriminale të Shkodrës, Kurbinit, Lezhës e Shijakut ndaj grupit të Niklës që lidhej me të ashtuquajturin Klani Duka dhe një fraksion të grupit të Vlorës “për të larë hesapet”. Më 15 maj 2024 SPAK-u bëri bashkë në një listë plot 50 persona të dyshuar si të përfshirë në të paktën 18 episode kriminale, për të cilat kërkoi masa arresti nga Gjykata e Posaçme. Mes tyre ranë në sy emra ish-zyrtarësh të forcave të rendit si Henerigert Mitri, ish-drejtor i Policisë Lezhë dhe Klodian Shahini ish-vartësi i tij, apo dhe emri i Armando Ndrecës, vëlla i deputetit socialist Eduard Ndreca. Policia arriti të ekzekutojë 19 prej urdhërarresteve. Në operacionet e mëvonshme policore u arrit të arrestohen Astrit Avdyli, Ilia Ndoka, Xhelal Rraja dhe Marklen Haka. U ekstradua nga Belgjika Leonard Duka teksa u arrestuan në Gjermani e Dubai, Fabio Ballabani, Durim Bami dhe Elson Reçi. Të mërkurën e 11 nëntorit, ish-drejtori i Policisë Mitri u dorëzua në polici duke bërë që nga “Metamorfoza 3” numri i atyre që pritet të japin llogari përpara drejtësisë të shkojë 28, ndërsa 22 të tjerë mbeten në kërkim, mes të cilëve Arben Ndoka, Endrit Dokle, Fatmir Hyseni e Erlis Duka. /shteg.org