Ka përfunduar 30 minuta më herët se leja e marrë në polici, protesta e opozitës në Tiranë.
Me të paktën 10 efektivë të policisë të plagosur, dhe shumë qytetarë të rënduar nga gazi lotësjellës, deputeti i PD-së, Flamur Noka ka njoftuar mbylljen e protestës.
Protestuesit iu dejtuan fillimisht Kryeministrisë, më pas selisë së Partisë Socialiste, Ministrisë së Brendshme, Bashkisë së Tiranës dhe Parlamentit, duke qëlluar në drejtim të godinave me bomba molotov dhe mjete të tjera piroteknike.
Në fjalën mbyllëse të protestës, Noka e quajti aksionin e sotëm si “hapi i parë i revoltës së mosbindjes civile”.
“Sot i dhamë një mesazh narko-shtetit. Sot ata janë duke u dridhur, sepse populli i ka kallur datë. Revolta e qytetarëve do të vijojë. Kjo nuk është protestë, është revoltë, hapi i parë i mosbindjes civile. Do të jemi në kontakt çdo ditë dhe do t’ju njoftojmë për çdo gjë”, u shpreh Noka.
Opozita kërkon që përmes kësaj proteste të formohet një qeveri teknike që do të organizojë zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.