Reshjet e dendura të shiut dhe era e fortë që pushtoi dje vendin tonë ka shkaktuar mjaft dëmtime. Një nga bashkitë më të goditura nga ky mot ekstrem ka qenë ajo e Vlorës, ku gjatë ditës së djeshme u raportuan përmbytje dhe dëme të shumta materiale. Edhe sot në këtë qytet rrugët dhe lagjet vazhdojnë të jenë nën ujë. Ndërkohë, bashkia e Vlorës pritet të nis bilancin e dëmeve që u shkaktuan nga përmbytjet.
Po ashtu dje u evakuuan 33 familje për shkak të përmbytjeve, ndërsa pati probleme me energjinë elektrike. Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë tha dje se shkak i përmbytjeve kanë qënë prurjet e shumta nga rebeshi, por Forcat e Armatosura kanë shkuar në terren dhe 6 forca e 2 mjete nga Reparti i Këmbësorisë së Jugut u përdorën për të menaxhuar situatën.
Përkeqësimi i motit pritet të zgjasë deri të hënën, me ndikim të madh në rajonin. Reshjet intensive mund të arrijnë deri në 100 tonë për hektar, duke shkaktuar përmbytje akoma më të mëdha.
Pas dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet autoritetet ndodhen në terren për të riparuar problematikat e shkuara. Në Bashkinë e Vlorës situata duket më e përkeqësuar, pasi reshjet e shiut shkaktuan më shumë probleme.
Ministria e Mbrojtjes njofton se strukturat e emergjencave civile janë angazhuar në terren për të riparuar të gjitha problematikat e shkaktuara nga moti i keq. Bëhet me dije se Universiteti i Vlorës, rruga “Albano e Romina”, Dyqanet e reja, Kisha Ortodokse si dhe xhamia e qytetit janë ende të bllokuara.
“Të gjitha strukturat e emergjencave civile vijojnë të jenë të angazhuara në terren që prej pasdites së djeshme, për të riparuar të gjitha problematikat e shkaktuara nga reshjet me intensitet të lartë. Si pasojë e punës së bërë gjatë gjithë natës dhe ndërprerjes së reshjeve, situata është përmirësuar.
Aktualisht, puna e të gjitha strukturave: Bashkisë së Vlorës, UK Rajoni Vlorë, Drejtoria Vendore e Policisë, OSHEE, Prefekturës, është përqendruar në 4 kryqëzime ende të bllokuara në qytetin e Vlorës, i cili u prek më shumë nga situata e keqe e motit në 24 orët e fundit.
Në mbështetje të tyre janë edhe 24 efektivë të Forcave të Armatosura, me 5 mjete transporti, 3 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 2 pompa thithëse.
Trupat në terren po punojnë për largimin e ujit në blloqet e banesave midis akseve të bllokuara: te Universiteti, rruga “Albano e Romina”, Dyqanet e reja, si dhe te Kisha Ortodokse. Prezencë uji ka dhe brenda xhamisë së qytetit.
Efektivët e FA po punojnë me dy pompa për largimin e ujit nga stacioni kryesor i pompimit, ku ende vazhdon të ketë prezencë uji.
Hidrovori i qytetit punon me kapacitet të plotë, duke bërë tërheqjen graduale të ujit.
Është stakuar energjia elektrike në disa blloqe banesash të qytetit, kryesisht aty ku gabinat elektrike kanë prani uji.
Situata vazhdon të ndiqet në terren nga autoritetet vendore dhe Drejtori i Gadishmërisë dhe Veprimeve Operacionale në AKMC”, njofton Ministria e Brendshme.