Ditën e djeshme qyteti i Vlorës u përball me një mot ektrem që solli përmbytje dhe shumë dëme materiale. Një punonjës i hidrovorit ka treguar për Klan News se dy pompa kanë dalë jashtë funksionit, madje njëra nga pompat e hidrovorit të Vlorës është përfshirë nga flakët, duke shkaktuar ndalimin e menjëhershëm të të gjitha pompave. Incidenti, i cili ka ndodhur për shkak të ngarkesës së lartë dhe bllokimit të kanalizimeve nga mbeturinat. Sipas punonjësit, përgjegjës për situatën janë mbeturinat e hedhura nga qytetarët.
“Na more vëlla këtu, ti e shikon vetë dhe filmon. Këtu na shkatërruan pompat nga llozhat (mbeturinat) që hedhin njerëzit në kanal. Na nxorrën dy pompa jashtë loje. Shikoji janë me mijëra llozha, dyshekë, jorgan e batanije, rrogoza, çfarë nuk kanë bllokuar. Çfarë të bëjmë? Na ka mbetur tani që të hedhim vetëm krokodila në ujë këtu që t’i hanë me llozhëra. Kjo na ka mbetur s’ka më. Na shkatërruan pompat more. Dy pompat e mëdha na i nxorrën jashtë loje. I bëjmë thirrje qeverisë të na bjerë dy pompa të reja. Na i shkatërruan more këta njerëz. Nuk janë njerëz por janë derra. Lloj lloj jorgan, batanije. Kolltuqe, divana. Të tëra këtu i ke. Kjo ka qenë gjithmonë historikisht këtu në hidrovor dhe janë problem që hedhin njerëzit e pandërgjegjshëm në kanal. Kjo është e vërteta”, tha një punonjës i hidrovorit.
Një ditë më parë, situata në këtë qytet ishte alarmante për shkak të reshjeve të dendura të shiut, daljes jashtë kontrollit të kanalit të ujërave të larta dhe përmbytjeve në shumë lagje. Për shkak të prurjeve, 33 familje me 55 anëtarë u evakuuan nga shtëpitë e tyre dhe u strehuan në konfikt. Të tjerët kanë mbetur pa energji elektrike deri në largimin e ujit nga kabinat elektrike. Në Vlorë ka shkuar edhe Ushtria, e cila po punon puna në terren për pastrimin e kanaleve, të cilat janë mbushur për shkak të prurjeve të përrenjve. Por edhe Ministria e Mbrojtjes, njëjtë si Bashkia, njofton se situata po shkon drejt përmirësimit.