Banorët në Vlorë kanë rrëfyer tmerrin që përjetuan ditën e djeshme për shkak të vërshimeve të ujit. Një prej tyre tha se uji u fut në çdo anë në shtëpi dhe nuk kishin ku të shkonin. Ajo tha se në ato momente kishte frikë për jetën e fëmijëve të saj dhe kanë dalë me not nga shtëpia sepse situata u bë shumë e vështirë. Banorja tha se pas përmbytjeve ka mbetur pa shtëpi.
“Nga dritaret na erdhi uji, nga dera, nga banja, kemi marrë pllaka i kemi vënë lart mbi banjo. Si vullkan, ishte e pamundur, thamë shyqyr të na shpëtojnë fëmijët gjallë. Na është dëmtuar gjithë mobilja, s’kemi asgjë fare, mbajmë duart përpjetë. Uji ishte tamam si det. U bëmë ujë, dimë që notuam”, tha banorja.
Një ditë më parë, situata në këtë qytet ishte alarmante për shkak të reshjeve të dendura të shiut, daljes jashtë kontrollit të kanalit të ujërave të larta dhe përmbytjeve në shumë lagje. Për shkak të prurjeve, 33 familje me 55 anëtarë u evakuuan nga shtëpitë e tyre dhe u strehuan në konfikt. Të tjerët kanë mbetur pa energji elektrike deri në largimin e ujit nga kabinat elektrike. Në Vlorë ka shkuar edhe Ushtria, e cila po punon puna në terren për pastrimin e kanaleve, të cilat janë mbushur për shkak të prurjeve të përrenjve. Por edhe Ministria e Mbrojtjes, njëjtë si Bashkia, njofton se situata po shkon drejt përmirësimit.