Një tjetër aksident u shënua pasditen e 3 tetorit, kur një automjet tip Volkswagen që shërbente si taksi në inventarin e Blue Taxi ka dalë nga rruga në afërsi të fshatit Kashtbardhë në rrugën nacionale Lushnje-Berat dhe ra në kanal .
Burimet bëjnë me dije se në timonin e mjetit ishte një 40 vjeçare e quajtur Mirela Shellima e cila dyshohet se ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka dalë nga rruga. Mjeti ka përfunduar në kanalin kullues përgjatë rrugës.
40-vjeçarja është dërguar me urgjencë në spitalin e Lushnjes dhe është nën kujdesin e mjekëve, ndërkohë që për nxjerrjen e saj është dashur ardhja e zjarrfikësve të qytetit.
Policia në vendngjarje po kryen dokumentimin e ngjarjes dhe po disiplinon trafikun. Kthesa në fjalë është shumë e rrezikshme ku edhe barrierat anësore të hekurta janë dëmtuar dhe shqyer nga daljet e shpeshta të makinave nga rruga në këtë pikë.
Paraprakisht dyshohet se drejtuesja e mjetit ka humbur kontrollin për shkak të shpejtësisë me të cilën lëvizte.