A do tëhetojë SPAK edhe kompaninë ONE Albania si pjesë të dosjes së inceneratorëve pasi aty nxorri kokë Ilza Zoto , gruaja e Klodian Zoto ?
Dy ditë në parë një lajm i bujshëm tronditi opinionin publik shqiptar pasi bashkëshortja e njërit prej njerëzve më të kërkuar në Shqipëri, Klodian Zotos, zonja Ilza Zoto bleu aksione nga kompania One Albani duke u bërë atje bashkëaksionere me shtetin shqiptar dhe kompaninë hungareze 4iG.
Më herët, kompania Telekom Albania, paraardhëse e One Albania bëri “cirk” me shpërndarjen e dividentit dhe gjëra të ngjashme, gjë që tregon se nuk është hera e parë që bën gjëra të tilla, për të cilat do të flasim më vonë.
Sa i përket zonjës Ilza Zoto, fakti që ajo është bashkëshorte e Klodian Zotos, që bashkë me Mirel Mërtirin “përpinë” qindra miliona euro nga inceneratorët, duhet të jetë një zile alarmi edhe për SPAK që po heton dosjen e inceneratorëve për të verifkuar nëse paratë e marra xhepat e shqiptarëve kanë përfunduar apo jo për blerje aksionesh te One Albani.
Verifikimi dhe konfirmimi i një fakti të tillë do të ishte një tjetër skandal i madh në një vend ku hajdutëria bëhet sheshit.
Blerja
Prej muajit dhjetor 2021, Klodian Zoto është në kërkim nga SPAK e Gjykata Speciale, si i dënuar me nga 8.5 vite burg për mashtrim, falsifikim e vjedhje në landfillet Elbasan-Fier dhe në proces gjykimi për të njëjtat krime në landfillin e Tiranës.
Por ai vazhdon të shtojë pasuritë dhe aksionet në kompani strategjike; konkretisht te kompania e telefonisë celulare “ONE Albania”, tashmë e blerë prej një klani hungarez i drejtuar nga Gellért Zoltán Jászai.
Më 22 mars 2024, Klodian Zoto u bë ortak në kompaninë celulare “ONE Albania”, nëpërmjet gruas së tij Ilza Zoto; e cila bleu aksione me vlerë totale 2000 Euro, duke u bërë ortake dhe me shtetin shqiptar që ka 3% aksione në këtë kompani.
Në datën 4 prill 2024, në deklarimin për regjistrimin e Ilza Zotos si ortake e shtuar, pronarët hungarezë të kompanisë “ONE Albania”, kanë mashtruar Qendrën Kombëtare të Biznesit e Tatimet, se vlera 2000 Euro e aksioneve që bleu gruaja e Klodian Zotos, është vlerësim faktik sipas gjendjes ekonomike e vlerës së kapitaleve të kompanisë.
Që do të thotë, se kapitalet totale të kompanisë “ONE Albania”, janë 32 mijë Euro; mashtrim që duhet hetuar nga drejtësia, mbasi kemi të bëjmë me evazion fiskal, që fsheh miliona Euro të ardhura e fitime, për të mos paguar tatimet reale në shtet.
Kujtojmë, që Ilza Zoto, gruaja e Klodian Zotos, është ortake në kompaninë e ndërtimit “7 D-Sh.p.k”, por dhe te 4 kompani të tjera, në ortakëri me dhëndrin e Ritvan Bodes ndërsa në Ministrinë e Financave, ajo ka menaxhuar 20 milionë Euro “Program për Konvertimin e Borxhit Shqiptar”.
Në një reagim për mediat, kompania One Albania pranoi se zonja Zoto është bërë aksionere e saj duke mos dhënë shpjegime mbi origjinën e parave, të cilat duhet t’i hetojë drejtësia pasi mund të jenë paratë e inceneratorëve. Po ashtu, One Albania mohoi akuzat ndaj z.Jaszai. /Korrieri