Një komitet i Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është duke hetuar për emrat e zyrtarëve të qeverive të Shqipërisë dhe Serbisë, të cilët iu afruan një kompanie të lidhur me dhëndrin e Donald Trump për projekte zhvillimi pronash.
Komiteti i Financave në Senatin e Shteteve të Bashkuara tha javën e kaluar se hetimi i tij mbi Affinity Partners ka zbuluar se zyrtarë të qeverive serbe dhe shqiptare iu afruan proaktivisht kompanisë me propozime për projekte të zhvillimit të pasurive të paluajtshme në vendet e tyre.
Kompania që merret me aksione dhe investime është e lidhur me Jared Kushner, dhëndri dhe këshilltari i ish-presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.
Në një letër të mëvonshme, të publikuar këtë javë, kryetari i Komitetit të Financave i Senatit, Senatori Ron Wyden kërkoi “një listë të detajuar të personelit të qeverisë, ose individëve që kanë kontaktuar Affinity në emër të qeverisë shqiptare, të cilët e kanë kontaktuan së pari Affinity për të diskutuar investimet e pasurive të paluajtshme në Shqipëri”.
Affinity ka konfirmuar për Wyden se qeveritë serbe dhe shqiptare do të kenë kontroll të plotë mbi të gjitha aspektet e këtyre projekteve të mundshme, përfshirë fuqinë vendimmarrëse mbi lejet, taksat lokale dhe licencat për projektet.
- Berisha: Deputetët e PD i dhanë sot përgjigjen e merituar Edi Ramës, nisën betejën e cila ndalet vetëm me fitoren e opozitës
Megjithatë, senatori Wyden shprehet se kjo do të thotë që Serbia dhe Shqipëria do të kenë “kontroll potencialisht shantazhues mbi investimet e familjes së atij që mund të jetë presidenti i ardhshëm”. Sipas Wyden, një nivel i tillë i përfshirjes së qeverisë ngre pyetje në lidhje me natyrën e këtyre marrëdhënieve.
“Për të dy zhvillimet e propozuara të pasurive të paluajtshme, qeveritë serbe dhe shqiptare duket se zotërojnë tokën dhe kanë diskrecion të gjerë mbi mënyrën se si përdoret ajo. Këto kushte u lejojnë qeverive serbe dhe shqiptare të kërkojnë përfitime të pazakonta nga Affinity gjatë procesit,” deklaroi Wyden.
Në komunikimet me Komitetin, Wyden tha se Affinity kishte konfirmuar se zhvillimi i planifikuar i sitit në Beograd do të përfshinte një “muze” që përshkruhet si një monument për ‘viktimat e agresionit të NATO-s’”.
Wyden është shumë kritik ndaj këtij memoriali të propozuar: “Është krejtësisht e papërshtatshme që një qeveri e huaj të kërkojë që një firmë amerikane të marrë pjesë në këtë lloj revizionimi anti-amerikan të historisë, një akt që përpiqet të fshijë spastrimet etnike dhe gjenocidin dhe bën që roli I NATO-s të duket negativ. Është tronditëse që një firmë e themeluar dhe në pronësi të familjes së një ish-presidenti dhe një kandidati që mund të jetë presidenti i ardhshëm i SHBA, e pranon këtë” shkroi ai.