Pas një gare që qëndroi e hapur për afro 2 javë, Ilir Proda është emri i propozuar nga ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, për të zënë vendin e Muhamet Rrumbullakut në krye të Policisë së Shtetit. Prej më shumë se një viti, Proda mbante postin e drejtorit të policisë së Elbasanit, një prej qyteteve me kriminalitetin më të ashpër në vend. Proda ka lënë pas në renditje, katër kandidatë të tjerë, që janë Skënder Hita, Altin Mena, Neritan Nallbati dhe Ardian Çipa.
Proda ka një karrierë 19-vjeçare në radhët e Policisë së Shtetit, duke mbajtur pozicione të ndryshme brenda strukturës. Ai e ka nisur rrugëtimin e tij në uniformat blu në vitin 2005 fillimisht si specialist i policisë kriminale në komisariatin nr. 3, në Tiranë, ndërsa për shumë vite ka punuar dhe në drejtorinë e përgjithshme të policisë. Në vitin 2013 ai mori për herë të parë detyrën e shefit të komisariatit, ku shërbeu në Bulqizë.
Në korrik të vitit 2019 ai mori gradën kryekomisar, dhe më pas u emërua zv. drejtor për hetimin e krimeve në Korçë. Ndërsa në 2021 emërohet në po të njëjtën detyrë në policinë e Elbasanit.
Në mars të vitit 2023, pasi mori gradën drejtues, ai u emërua drejtor i policisë Elbasan, detyrë që e mban edhe aktualisht.
Proda ka diplomë avokati dhe master shkencor për të drejtë penale. Po ashtu ka marrë pjesë në kurse e seminare të ndryshme ku është pajisur me certifikatë. Ndërkohë që emri i tij u lakua së fundi, teksa kishte dalë kandidimi i tij për kreun e policisë. Me urdhër të SPAK, Prodës iu sekuestrua telefoni dhe u mor në pyetje, pas dyshimeve për konspirimin e operacionit për arrestimin e vëllezërve Hajdar dhe Florenc Çopja.
Në Mars të vitit 2024, Proda iu nënshtrua edhe procesit të Vettigut të ushtruar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Më datë 8 mars 2024, trupa e vlerësimit gjykoi se Proda ka plotësuar tre kushte: nivel i besueshëm në vlerësimin e pasurisë; nivel i besueshëm në vlerësimin e kontrollin e figurës; nivel i mjaftueshëm në vlerësimin e aftësive profesionale. Me ndryshimin e ligjit për policinë e shtetit, Muhamet Rrumbullaku u nxit që të jepte dorëheqjen, ndërsa ministri i ri Ervin Hoxha tha se do iu jepej shansi gjeneratave të reja në radhët e uniformave blu. Procesi i garës për drejtuesin e ri të policisë së shtetit u asistua dhe nga ndërkombëtarët, ndërsa aktualisht në krye të bluve si i komanduar qëndron Sokol Bizhga.