Izmiri Shop”, një ndër argjendaritë më të njohura në kryeqytet ra nën kontrollin e policisë së Tiranës pas një hetimi ku u zbulua se bizhuteritë që tregtonin ishin mall kontrabandë.
Pas kontrollit në dy pikat, në rrugën “Myslym Shyr” dhe në qendrën tregtare “QTU”, policia sekuestroi 9830 gram argjend ndërsa shpalli në kërkim pronarin Izmir Bengaj, 28 vjeç si dhe është vënë nën hetim nëna e tij, Donika Begaj50-vjeç.
Megjithatë, “Izmiri Shop” nuk është një biznes familjar i zakonshëm si shumë të tjerë në kryeqytet.
Hatixhe Brika dhe Jashar Stojku, dy emra të njohur në rrjetet sociale, janë reklamuesit kryesorë të argjendarisë.
19-vjeçarja Hatixhe Brika shfaqet në video të ndryshme duke promovuar bizhuteritë e “Izmiri Shop”, përfshirë një rast ku udhëton me helikopter drejt pikës së tyre në QTU.
Në një video tjetër, ajo shkruan se ka marrë dhurata në vlerën e 7,000 eurove nga kjo argjendari.
Ndërkohë, personazhe të tjerë të njohur si Sara Gjordeni, Fation Kuqari, Sara Kolemi dhe Niko Komani, së bashku me shumë emra të tjerë VIP kanë reklamuar aksesorë dhe bizhuteri nga kjo argjendari.
Njoftimi i policisë:
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Tregtonin bizhuteri të ndryshme, të dyshuara të kontrabanduar, procedohet penalisht një shtetase dhe punohet për kapjen një shtetasi tjetër.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Silver”.
Në kuadër të këtij operacioni u procedua penalisht shtetasja D. B., 50 vjeçe, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, ”Kontrabanda me mallra të tjerë” dhe ”Tregtimi dhe transporti i mallrave që janë kontrabandë” parashikuar nga nenet 180, 174 dhe 178 të Kodit Penal. Gjithashtu po punohet për lokalizimin e djalit të saj, shtetasit I. B., 28 vjeç.
Gjatë operacionit është ushtruar kontroll në një subjekt në rrugën “Muhamet Gjollesha”, dhe në një tjetër në një qendrër tregtare në rrugën Tiranë-Durrës. Gjatë kontrolleve në këto subjekte, shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, aksesorë argjendi për të cilat nuk disponoheshin fatura doganore e tatimore dhe të ardhurat e përfituara nga shitja e tyre, fshiheshin nga dy autorët e dyshuar.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar aksesorë argjendi, me peshë 9830 gram, të dyshuar të kontrabanduar.