Skandali “Partizani”, Fatmir Bektashi pjesë e dosjes së SPAK me drejtorët hajdutë të 5D
Enton Punavija, një prej zyrtarëve të lartë të Bashkisë së Tiranës, i cili po hetohet lidhur me aferën 5D, rezulton të ketë pasur marrëdhënie të vazhdueshme me bizesmenin Fatmir Bektashin, një prej personave që u mor i pandehur për çështjen e privatizimit të ish-klubit sportiv Partizani. Për aferën ‘Partizani’ janë marrë të pandehur edhe ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja.
Në dosjen e SPAK të siguruar nga ZËRI rezulton se Enton Punavija ka qenë anëtar i Këshillit Teknik në mbledhjen e datës 1 shkurt 2008, ku është shqyrtuar kërkesa për leje ndërtimi për objekt 5, 7, 9 me dy kate nëntokë, në pronësi të familjes Begeja dhe familjeve të tjera pronare, përfshirë edhe Jamarbër Malltezin.
Më datë 18.01.2023, është pyetur shtetasi Bashkim Punavija, i cili deklaron se, nuk është njohur ndonjëherë me urdhërin e mësipërm (atë me nr 900 datë 02.07.2014), megjithëse ka qenë shef sektori nga viti 2013 deri në vitin 2018 tek auditi. Ai deklaron se ish-Klubin Partizani, nuk e kanë audituar pasi në dijeninë e tij ka qenë shoqëri aksionare që varej nga Ministria e Ekonomisë.
‘Nga aktet rezulton se shtetasi Bashkim Punavija, është xhaxhai i shtetasit Enton Punavija (anëtar i Këshillit Teknik të Tiranës në vitin 2008 kur janë dhënë lejet e ndërtimit për subjektin Kontakt në territoret e Klubeve Partizani dhe bashkëpunëtor i ngushtë në vijim me shtetasin Fatmir Bektashi),”-thuhet në dosjen e SPAK, siguruar nga Gazeta Korrieri.
Enton Punavija evidentohet si një person që përfshihet në vijimësi pikërisht në lidhje me ndërtimin e objekteve. Në lidhje me porositjen e apartamentit zyrtari i Bashkisë pretendon se ka kontaktuar me shtetasin Fatmir Bektashi, pasi ishte i interesuar edhe në disa vende të tjera për blerje banese.
Nga hetimi dhe të dhënat e siguruara rezulton, sipas SPAK, se shuma prej 8,219 euro në të vërtetë nuk është kryer nga Enton Punavija. Në kompleksin Homeplan, Enton Punavija ka blerë gjithashtu një garazh, sipas një kontrate të lidhur me firmën Kontakt sh.p.k.