Behgjet Pacolli dhe Sinan Idrizi nuk i japin rrogat punëtorëve, bllokohet puna te Aeroporti i Vlorës
Punimet për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës janë pezulluar pasi punonjësit kanë dalë në protestë për disa ditë, duke kërkuar pagesën e rrogave të prapambetura.
Sot, ata kanë ndërmarrë një hap më të ashpër, duke bllokuar hyrjen në kantier, si shenjë e pakënaqësisë dhe presionit ndaj kompanisë për të marrë pagat e tyre.
Punonjësit shprehen se janë prej disa muajsh pa marrë pagat e tyre dhe ndjehen të lënë pas dore nga menaxhmenti i projektit. Protesta pritet të vazhdojë deri në një reagim konkret nga kompania për zgjidhjen e kësaj situate.
Autoritetet ende nuk kanë dhënë një deklaratë zyrtare mbi këtë zhvillim, ndërsa projekti i aeroportit ka rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik dhe turistik të rajonit.
Aeroporti i Vlorës është një histori që vijon tashmë prej disa vitesh. Më 17 janar 2018, kryeministri Edi Rama njoftoi se kishte marrë një “kërkesë zyrtare” për ndërtimin e një aeroporti pranë Vlorës nga një konsorcium turk. Kërkesa erdhi pas vizitës së kryeministrit Rama në Turqi, gjatë së cilës ai njoftoi se presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan do ta “ndihmonte” me krijimin e një kompanisë ajrore shqiptare.