![](https://gazetakorrieri.com/wp-content/uploads/2024/09/IMG_5657.jpeg)
Ish-drejtori i Policisë së Lezhës, Henerigert Mitri është lënë sot në burg nga Gjykata e Posaçme.
Ai u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës tre ditë më parë, pas muajsh në arrati në kuadër të operacionit policor të koduar “Revanshi”.
Konkretisht, Mitri akuzohet se në bashkëpunim me shtetasin Klodian Shahini dhe persona të tjerë, drejtonin aktivitetin kriminal të kultivimit të narkotikëve, në qarkun e Lezhës.
Klodian Shahini rezulton se gjatë kohë që është angazhuar në veprimtarinë e kultivimit të drogës me drejtorin Henerigert Mitri, ka mbajtur detyrën e shefit të Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë e Qarkut Lezhë.
Gjithashtu, ish-drejtori i lartë i Policisë së Shtetit, sipas SPAK, Henerigert Mitri në bashkëpunim me shtetasin Preng Gjini, aktualisht i arrestuar për një procedim tjetër penal, organizonin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në qytetin e Lezhës.
“Kështu është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasi Henerigert Mitri, me detyrë drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shtetasin Klodian Shahini dhe persona të tjerë, drejtonin aktivitetin kriminal të kultivimit të narkotikëve, në qarkun e Lezhës.
Po ashtu i hetuari Henerigert Mitri, në bashkëpunim me shtetasin Preng Gjini, aktualisht i arrestuar për një procedim tjetër penal, organizonin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në qytetin e Lezhës”, thuhet në deklaratën zyrtare të SPAK, pas zbardhjes së bisedave në SKY.
Preng Gjini i shpëtoi një atentati me minë në kryeqytet mbrëmjen e 15 shtatorit 2020.
Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa u ndje në një rreze të gjerë, edhe në zona të Tiranës që ndodhen shumë larg vendit të ngjarjes. Për shkak të këtij shpërthimi u plagosën lehtë edhe dy kalimtarë, një shtetas italian dhe një fëmijë.