Biznesmeni Besnik Halili, i cili zotëron monopolin e tregtimit të oksigjenit të lëngshëm dhe kompresuar, përmes kompanisë “G.T.S” në Shqipëri që administrohen nga vetë ai, është rikthyer në procedurat e tenderave në vend, edhe pse nga përgjimet e anti-mafias, rezultonte se kishte lidhje me grupin mafioz ‘Ndrangheta.
Sipas njoftimit në Agjencinë e Prokurimit Publik, rezulton se kompania “GTS- Gazra Teknik Shqiptar”, ka marrë tenderin 640 mijë Euro, për furnizimin me oksigjen të Spitalit Rajonal- Durrës me afat 1 vit.
Tenderi është ndarë në dy lotë dhe që të dyja u fituan nga “GTS-Gazra Teknik Shqiptar”, pa garë dhe me vlerë kontrate totale sa 99.5% të fondit limit.
TENDERI
E njëjta kompani është shpallur fituese edhe për të njëjtën procedurë në spitalin e Kurbinit. Procedura është hapur më datë 9 gusht dhe është mbyllur më 12 gusht të vitit 2024, duke shpallur fitues “GTS- Gazra Teknik Shqiptar” me fondin limit prej 600 mijë lekësh të reja.
TENDERI
Por kush është Besnik Halili?
Besnik Halili u bë i njohur për publikun pas publikimeve të përgjimeve të ‘Ndranghettas.
Besnik Halili, president i grupit Sol në Shqipëri, kompania në vendin tonë njihet me emrin “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” shpk”, dyshohet se ishte garancia e Princit të Ndragheta-s, Antonio Gallo për të korruptuar qeveritarë dhe po ashtu, për të pastruar para në Shqipëri.
Në biseda, biznesmeni përmendej si “Niku”, që sipas Gallos ka lidhje me oksigjenin, ka lidhje me spitalet, me Enel e me të gjitha”. Kaq u esh që të bëhej lidhja që emri të lidhejm e Halilin, bashkëshortin e Luneda Sufalit, ish-drejtoreshës së Lojërave të Fatit.
Sipas bisedave të publikuara, mafia italiane ka dërguar biznesmenin Antonio Gallo në vendin tonë që të futet në tendera e të ngrejë biznese përmes të cilave të pastrohen paratë e tyre. Ky korrupsion ka kapur vlerën e 250 milion eurove.
‘Niku’ premtonte gjetjen e një hapësire në Shqipëri për futjen e tyre në tregun vendas për ndërtimin e rrugëve dhe për shitjen e materialeve.
Në maj të këtij viti, zyrat e Grupit ‘G.T.S’ i janë nënshtruar një vale kontrolli nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK.
Hetimi nr.17 i rregjistruar kryesisht nga SPAK në datën 25 janar 2021, brenda tre viteve ka kryer një seri verifikimesh, me qëllim vërtetimin nëse zyrtarë të Ministrive të ndryshme në bashkëpunim me punonjës të kompanisë ‘GTS-Gazra Teknike Shqiptare’, kanë paracaktuar kriteret dhe format e procedurave tenderuese, duke shpallur fituese në të gjitha rastet kompaninë e oksigjenit të Besnik Halilit.
Halili nga ana tjetër, i është marë telefoni dhe sende të tjera elektronike.
Më tej kontrolli është kryer dhe tek bashkëshortja e Besnik Halilit, Luneda Sufali, e cila ka qënë ish-punonjëse e kompanisë së tij. Sufali aktualisht drejton Shërbimin Social Shtetëror.
Në nëntor të vitin 2015, Sufali dha dorëheqjen nga posti në Ministrinë e Financave dhe u emërua Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Mirëqënies Sociale, e cila në atë kohë drejtohej nga Blendi Klosi.
Më pas, në nëntor 2017, Sufali u emërua Drejtoreshë e Shërbimit Social Shtetëror, me firmën e Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Kontrolle dhe sekuestrime janë kryer edhe vëllai i Besnik Halilit, Ergys Halili, i cili është administrator i kompanisë ‘NCI’, kjo e fundit ka kryer dhjetëra transferta të shumta parash me shoqëritë e administruara nga Besnik Halili.
Telefonat dhe kompjuterat i janë marë edhe shtetasit Aldo Muça, administrator i kompanisë ‘N3H’, shoqëri e cila ka transferta të shumta bankare me kompanitë e administruara nga Besnik Halili.
Kontrollit i është nënshtruar dhe Gerti Idrizi, i cili është punonjës i ‘GTS-Gazra Teknike Shqiptare’ dhe figuron si përfaqësues ligjor në QKB tek të gjitha shoqëritë e administruara nga Besnik Halili.
Valës së kontrollit nuk i ka shpëtuar dhe Alban Zoraqi, Elona Hoxhafi, të cilët janë financierët kryesorë dhe njerëzit që kanë kryer veprime të transfertave bankare tek të gjitha kompanitë e administruara nga Besnik Halili.
Gjithashtu kontrolle dhe sekuestrime janë kryer edhe tek Ardian Strazimiri, administrator i kompanisë ‘Sofigaz’. BKH-ja ka marë telefonin dhe kompjuterin e Ervin Tushes, i cili është hartuesi i specifikimeve teknike tek çdo procedurë prokurimi të fituar më pas nga GTS-Gazra Teknike Shqiptare’.
Një tjetër emër që i është marë telefoni dhe kompjuterat janë Migel Zallëmi, shefi i financës së shoqërisë ‘Messer Albagaz’, e cila në shumë raste është fituese e tenderave në shoqërinë G.T.S, ku së bashku hynin në formën e Bashkimit të Operatorëve Ekonomikë.
Stojan Angjellari, në cilësinë e menaxherit teknik të kompanisë ‘Messer Albagaz’, i është marë telefoni dhe kompjuteri. Kjo kompani në shumë raste rezulton të jetë fituese e tenderave në shoqërinë G.T.S në formën e Bashkimit të Operatorëve Ekonomikë. Kontroll i është bërë dhe Ela Strazimirit, specialistes së financës së shoqërisë ‘Messer Albagas’, e cila ka qënë në dijeni të transaksioneve fiktive të bëra midis shoqërive ‘Messer Albagas’ dhe ‘G.T.S’.
Historia e tenderave të “GTS”
Në vitin 2016, “GTS” ishte fituese thuajse në pjesën më të madhe të tenderave. Por, deri në atë moment, ka pasur një veçori-në tenderat e fituar prej saj, ka pasur edhe konkurentë të tjerë.
Duke filluar nga fundi i vitit 2017, “GTS” mori trajtën e një kompanie “monopol”. Në të gjithë tenderat e zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë dhe strukturat vartëse, përfshirë Qendrën Spitalore Universitare Tiranë, për oksigjenin spitalor, fitues shpallet vetëm “GTS” ose e njëjta kompani, në bashkëpunim me “Messer” shpk, që gjithashtu dyshohet se është në pronësi të Halilit.
Ky bashkim operatorësh u shpall së fundmi edhe fitues i një tenderi, pa garë, me vlerë 5 milionë euro, për furnizimin e QSUT-së me oksigjen spitalor. I njëjti bashkim operatorësh, në periudhën 2016-2020, është shpallur fitues edhe në një seri tenderash spitalorë, me fond limit në vlerë totale rreth 4 milionë euro.
Në total, kompania “GTS”, ka fituar rreth 3 milionë euro të tjera tendera në strukturat spitalore, përgjatë periudhës 2016-2020.
Pavarësisht hetimeve nga SPAK, vijon të fitojë ende.