Punëtori bie nga kati i 20 te kulla që po ndërton Ram Geci në mes të Tiranës dhe vdes, policia nuk jep detaje, media e kapur nga oligarkët HESHT
Dje, në një ditë që shënoi një tjetër kapitull të zi në historinë e punës së rrezikshme në ndërtim, dy punëtorë humbën jetën në Tiranë dhe Kamëz. Ibrahim Shata, një punëtor nga Librazhdi, ra nga skela e një pallati në ndërtim pak ditë më parë në Kamëz dhe përfundoi tragjikisht në spital, ku dje edhe ndërroi jetë. Detajet rreth rënies së tij mbeten ende të paqarta, duke lënë familjen në dyshime nëse ai u rrëzua apo u godit nga vinçi i materialeve. Si reagim, policia njofton se arrestoi administratorin e ndërtimit, Q. D., 47 vjeç, për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë, sipas nenit 289 të Kodit Penal.
Më alarmuese është heshtja për aksidentin që ndodhi në qendër të Tiranës, ku të dhënat mbi viktimën dhe rrethanat e aksidentit janë fshehur. Policia jep vetëm një njoftim të shkurtër, por as emrin e plotë të viktimës dhe as kantierin e ndërtimit. Kjo ndodh për shkak të lidhjeve të pronarit, Ram Geci, një nga oligarkët më me ndikim të lartë, në strukturat qeveritare.
Media ka zgjedhur të mbyllë sytë, duke i dhënë hapësirë vetëm narrativës së kontrolluar nga Policia e Shtetit, të cilët manipulojnë faktet për të fshehur të vërtetën.
Policia nuk jep detaje
Referuar burimeve, 66-vjeçari është rrëzuar nga kati i 20 në katin e gjashtë pasi nuk ka qenë i siguruar në ashensorin që po punonte.
Kur ambulanca ka mbërritur në vendngjarje, për 66-vjeçarin nuk kishte më asnjë lloj shprese pasi ndërroi jetë menjëherë.
Tiranë/Informacion paraprak/ Më datë 06.09.2024, në rrugën “Bardhok Biba”, dyshohet se, aksidentalisht duke punuar, është rrëzuar nga skela e një objekti në ndërtim e sipër, shtetasi V. B., 66 vjeç, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra, ka ndërruar jetë në vendngjarje. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Por Gazeta Korrieri ka mësuar se 66-vjeçari nuk ka humbur jetën në objektin te rruga “Bardhok Biba”, por te InterContinental Hotel, pranë sheshit Skënderbej.
Krahas policisë edhe mediat nuk dhanë detaje duke heshtur.
Deklarata e policisë:
Për të vazhduar më tej me deklrata të cunguara dhe detaje të fshehura, Policia sot ka dalë me njoftimin për arrestimin e inxhinierit të firmës së ndërtimit duke ripërsêritur rrugën “Bardhok Biba” si vendngjarje. /KORRIERI