Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ngjan me politikanët e tjerë, për shmangien e përballjeve me gazetarët, duke preferuar intervistat e montuara brenda institucionit që drejton. Së fundmi, Sejko realizoi një intervistë me një punonjëse të Bankës së Shqipërisë, e cila u publikua në YouTube.
Në këtë intervistë, ai iu përgjigj vetëm tre pyetjeve, të cilat punonjësja, që paraqitej si gazetare, i kishte mësuar përmendësh dhe nuk realizoi një hyrje apo përmbyllje formale të intervistës.
Kjo qasje e guvernatorit vjen pas shpërthimit të skandalit të mikrokredive, ku mijëra qytetarë u mashtruan, dhe që prej atëherë Sejko nuk ka bërë asnjë deklaratë publike apo përballje me gazetarët.
Për më tepër, është kritikuar për mungesën e veprimeve nga Banka e Shqipërisë ndaj kompanive të përfshira në mashtrimet me mikrokredi, duke krijuar dyshime për transparencën e tij.
Një qasje e tillë e shmangies së gazetarëve dhe montimit të intervistave është e njohur edhe nga kreu i Bashkisë së Tiranës, i cili gjatë tre mandateve të tij ka preferuar t’i publikojë kronikat e tij të montuara nga zyra e shtypit të bashkisë, duke mos zhvilluar asnjë konferencë të hapur për mediat.