Atentati me dy të plagosur në zonën e Don Boskos në Tiranë ka qenë i mirëplanifikuar, pasi prej disa ditësh autorët kanë mbajtur vëzhgim dy shënjestrat. Ditën e ngjarjes, autorët që lëviznin me një makinë Golf 5, kanë pritur për rreth 30 minuta në afërsi të lokalit, ku dy personat e plagosur Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi, do të uleshin për të pirë kafe.
Sipas hetuesve, kjo tregon se ata kanë pasur informacion të plotë në lidhje me shënjestrat e tyre, ndërsa makinën e kanë parkuar për rreth 30 minuta në cep të pallatit, ku ndodhi dhe plagosja. Referuar pamjeve që janë marrë nga kamerat e sigurisë, që nuk kanë prodhuar imazhin e autorëve, të cilët dyshoher se kanë qënë të maskuar, ata kanë pritur dhe kanë saktësuar tavolinën ku do të uleshin Elezaj dhe Metushi.
Më pas janë rikthyer para lokalit, kanë kthyer makinën sepse rruga te pallati është rrugë qorre, kanë qëlluar dhe janë larguar menjëherë nga kanë ardhur. Sa i përket itinerarit, nga këqyrja e pamjeve të kamerave të grupit hetimor, u zbulua se makina ka ardhur nga Kamza, te Liqeni i Paskuqanit, ka hyrë në afërsi të Bulevardit të Ri dhe është futur në zonën e ngjarjes.
Të njëjtin itinerar ndoqi edhe në kthim, derisa e dogjën makinën në Qerekë, duke lënë pas pak gjurmë, që mund të shërbejnë për identifikimin e tyre. Kjo zonë duket se është studiuar mirë më parë nga autorët, pasi nuk ka mbulim me kamera sigurie. Targat e mjetit të tyre, kanë qenë të dubluara, pasi nga verifikimet e para të policisë, ato kanë rezultuar se i përkasin një tjetër makine në zonën e Kamzës që n uk ka lidhje me ngjarjen.
Dyshimet janë që shënjestër e kësaj ngjarje të ketë qenë Elezaj. Mirëpo në dëshminë e tij, ai dhe 22-vjeçari Metushi kanë mohuar konflikte me persona të tjerë.
“E kisha lënë për të pirë kafe me Renaldo Metushin dhe u ulëm në verandën e lokalit. Ne pimë kafe çdo ditë në të njëjtin lokal sepse jemi të papunë. Unë nuk kam parë kush më ka qëlluar dhe nuk e di kush ka dashur të më vrasë. Nuk kam asnjë konflikt me njeri dhe nuk i ruhem askujt. Lëviz lirshëm rrugëve dhe në kafe rri i pa shqetësuar”, tha Elezaj para hetuesve.
Dy të plagosurit nuk njihen si anëtarë të ndonjë grupi kriminal. Ata ndodhen në spital, nën kujdes intensiv, por jashtë rrezikut për jetën.