U rrahën në Sin Bar në Palasë, Turi Koçeku thotë se nuk ka problem me autorët
Biznesmeni Luçiano alias Artur Koçeku, që mbeti i plagosur pas sherrit të dhunshëm që ndodhi në lokalin Sin në Palasë, është jashtë rrezikut për jetën, dhe ka lënë ambientet e spitalit. Ai mbeti i lënduar si pasojë e përplasjes mes dy grupeve, gjatë koncertit të mbajti në lokal këngëtari grek, Konstandinos Argiros.
Për ngjarjen policia shpalli në kërkim disa persona, pas identifikimit të tyre nga pamjet filmike që qarkulluan në rrjetet sociale, ndërkohë që vetë Koçeku, ka kërkuar që çështja të mbyllet, pasi sipas tij sherri ka ndodhur në gjendje të dehur. Sipas gazetarit Elton Qyno, Koçeku dhe një person tjetër që ka mbetur i plagosur kanë dhënë deklaratë në polici, dhe kanë thënë se nuk duan ta ndjekin ligjërisht këtë çështje, pasi veprimet që ata kanë kryer i kanë bërë në gjendje të dehur.
Sipas Koçekut ai dhe personat e tjerë të përfshirë në këtë ngjarje janë shokë me njëri-tjetrin, ndaj nuk ka preferuar të bëjë kallëzim në polici për lëndimin që pësoi gjatë përplasjes.
Megjithëse përplasja brutale ka ndodhur në orë e para të mëngjesit të së shtunës, mësohet se policia ka njoftuar prokurorinë vetëm dy ditë më pas, pasi në media ka dalë video që tregonte përleshjen mes të dyja palëve. Tashmë policia ka referuar rastin në prokurorinë e Vlorës për vlerësimin juridik të çështjes.
Pritet që në ditët në vijim prokuroria të shqyrtojë rastin, duke lënë një seri detyrash për policinë për hetimin e kësaj dosje. Për sherrin janë shpallur në kërkim 4 persona, por asnjë prej tyre nuk është mundur që të vihet në prangat e policisë.