Arrestimi i Gazmir Preçit i “vë vulën”, gati lëvizjet e forta në Policinë e Shtetit, emrat që përfliten
Arrestimi i Kryekomisarit Gazmir Preçi duke i marrë 10 mijë euro në formë gjobë një biznesi në Durrës duket se i ka vënë kapakun vendimit të marrë më herët nga ministri i ri i Brendshëm, për të bërë lëvizje të forta në Policinë e Shtetit.
Ervin Hoxha ka ardhur me duar të pastra në krye të Ministrisë së Brendshme dhe si një teknicien i papërlyer duket se do të bëjë furtunë të madhe mbi kokat e drejtorëve dhe shefave të policisë të korruptuar apo që i shërbejnë krimit.
Burime të Korrierit bëjnë me dije se lajmi për arrestimin nga AMP të Preçit ka shkaktuar tërbim te ministri, i cili edhe vetë në reagimin e shpejtë që bëri theksoi se nuk do “të tolerohet asnjë polic që e konsideron veten padron dhe jo shërbyes të qytetarëve”.
“Operacioni i AMP-së, në bashkëpunim me SPAK, është mesazh i qartë për ata punonjës policie të cilitdo niveli qofshin, që do të tentojnë të cenojnë besimin e qytetarëve tek Policia, duke u hequr si padronë të qytetarëve dhe bizneseve, dhe jo si shërbëtorë të ligjit, do të marrin ndëshkimin më të ashpër ligjor.
Mbështes dhe inkurajoj AMP-në dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, si dhe nxis dhe garantoj qytetarët dhe bizneset të denoncojnë raste të tilla, sepse vetëm bashkërisht arrijmë të realizojmë objektivin madhor, për të pasur një Polici sa më profesionale dhe me integritet të lartë moral e ligjor!”, u shpreh ministri.
Burime bëjnë me dije se tashmë Hoxha e ka bërë listën e atyre që do të mbathin këmbët e do të largohen si edhe ata që do të jenë zëvendësues dhe po pritet shtatori.
Disa nga emrat e përfolur më herët në Media janë largimi i Ermal Muçes nga Vlora për shkak të rezultateve të dobta atje dhe kalimi në vend të tij të një Drejtori Policie në njërin prej qarqeve aty pranë, ndërsa duket se i ka ardhur fundi edhe drejtimit të Policisë Rrugore të Tiranes nga Besmir Qibini, i cili kaloi në krye të saj duke qenë më parë këshilltar i kryebashkiakut të Kavajës. Qibini pati filofozinë e gjobës për të rregulluar trafikun në Tiranë dhe disa akrobacira me pozicionime të policëve rrugor të caktuar në zona të caktuar të kryeqytetit, por duket se kjo mendësi nuk shkon dot më me ministrin e ri.
Në media po ashtu është përfolur edhe largimi i Përparim Demajt nga komisariati i Rinasit pasi skandalit të kalimit të qindra qytetarëve në mënyrë të paligjshme drejt vendeve të BE-së.
Operacioni para disa muajsh u fokusua vetëm te vartësit e tij, por duket se kjo “njollë e keqe” në biografi do t’i kushtojë shefit jetëgjatë të Rinasit.