Ligjvënësit janë penalizuar me heqje të pagës nga 10 deri në 60 mijë lekë për mungesë të pjesëmarrjes në seancë plenare apo në komisione. Gjatë muajit korrik, mazhoranca ka numrin më të lartë të deputetëve të penalizuar, ku 15 prej tyre kanë munguar.
Blendi Klosi, Eduard Shalsi, Pandeli Majko janë disa prej ligjvënësve socialistë të cilëve i janë hequr rreth 10 mijë lekë nga paga. Ndërsa gjobën më të lartë në radhët e së majtëve e kanë marrë Plarent Ndreca dhe Paulin Sterkaj me 30 mijë lekë gjobë.
Por, rekordi për penalitetin më të lartë në pagë e mban opozita. Deputetja Oriola Nebiaj mban sërish rekordin e shifrës më të lartë të mbajtjes së pagës me rreth 60 mijë lekë vetëm për muajin korrik. Pas nuk mbetet as deputetja Andia Ulliri me një gjobë prej 51 mijë lekësh, ndërsa Enekelejd Alibeaj vjen pas tyre me penalitetin prej 40 mijë lekësh.
Janë 13 deputetë në radhët e së djathtëve, të cilët kanë marrë dhe gjoba më të vogla si 10 deri në 30 mijë lekë heqje të pagës. Aktualisht deputetët e parlamentit paguhen 310 mijë lekë në muaj, pagë e cila u dyfishua në mars të vitit që lamë pas me vetë votat e tyre. Deri para një viti paga e deputetit rezultonte 156 770, ndërkohë që u rrit në 310 mijë lekë.