“Nuk doja ta vrisja…por ndodhi!,”-kështu është shprehur 40-vjeçari Klementin Islamaj para uniformave blu, teksa është marrë në pyetje për vrasjen e të atit. Gjatë marrjes së tij në pyetje, pa u kursyer lotët për tragjedinë e dyfishtë të ndodhur në familjen e tij, 40-vjeçari zbuloi se si e kishte marrë vesh lajmin që babai i kishte vrarë të ëmën me sëpatë.
“Vetë jam prind i dy fëmijëve dhe jam i divorcuar. Babai edhe një ditë më parë e ka dhunuar nënën. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 6 të mëngjesit. Isha tek lokali i fshatit po pija kafe me disa shokë. Nga shtëpia u dëgjua zhurmë dhe më thanë bashkëfshatarët të çohesha të shihja çfarë kishte ndodhur. Kur shkova gjeta nënën të vrarë në mes të shtëpisë,“-tregoi ai.
Më pas, u ndal tek momenti i konfliktit të tij me të moshuarin Hysen Islamaj, 69 vjeç.
“Babai ishte i dhunshëm me nënën, por unë nuk kisha qëllim ta vrisja. E shtyva që ta largoja nga vetja, por ai u pengua dhe ra. Nuk kisha qëllim ta vrisja,”-shtoi i riu që tashmë është vendosur në pranga, por ende nuk i është ngritur akuza. Do të jetë Prokuroria e Vlorës ajo që do të klasifikojë veprën penale, nëse do e ngrejë akuzën për vrasje me dashje apo në rrethana aksidentale.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e djeshëm në fshatin Shalës të Konispolit. 69-vjeçari Hysen Islamaj qëlloi disa herë me sëpatë bashkëshorten e tij Shano Islamaj, 66 vjeçe, e cila ndërroi jetë në vend. E gjithë ngjarje ndodhi në sytë e mbesës së mitur, e cila lajmëroi të atin, Klementin Islamaj. Kur ky i fundit u kthye në shtëpi dhe pa nënën e vdekur, shtyu të atin nga shkallët.