Virusi ‘Ethet e Nilit’ është rikthyer pas 13 vitesh në vendin tonë. Një ditë më parë (5 gusht), ISHP raportoi se janë 17 të infektuar, 3 qytetarë kanë humbur jetën. Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë njoftoi se gjendja e të infektuarëve është stabël dhe në 24 orët e fundit nuk ka patur rate të reja me virusin e rrallë. Por çfarë duhet të dimë për virusin e Nilit Perëndimor?
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale publikoi sot disa të dhëna lidhur me shenjat, mënyrën si transmetohet ky virus, diagnoza, trajtimi dhe si parandalohet infektimi nga ky virus.
Si transmetohet infeksioni nga virusi i Nilit Perëndimor?
Infeksioni te njeriu është kryesisht rezultat i pickimeve nga mushkonjat e infektuara, të cilat infektohen kur ushqehen me zogj të infektuar. Virusi qëndron në natyrë nëpërmjet një cikli transmetimi mushkonja-zogj-mushkonja. Zogjtë janë rezervuarët bartës të virusit. Kuajt, njësoj si njerëzit, janë bartës që pavarësisht se ata infektohen, nuk e përhapin direkt infeksionin. Deri më sot, nuk ka ndodhur asnjë transmetim i virusit nga njeriu tek njeriu përmes kontaktit rastësor apo nëpërmjet mushkonjave, dhe nuk është raportuar asnjë transmetim i virusit të Nilit Perëndimor te punonjësit e kujdesit shëndetësor kur janë zbatuar masa parandaluese standarde të kontrollit të infeksionit.
Çfarë shenjash ka infeksioni nga virusi i Nilit Perëndimor?
Infeksioni me virusin e Nilit Perëndimor është pa shenja në rreth 80% të njerëzve të infektuar. Vetëm rreth 20% e njerëzve të infektuar me virusin e Nilit Perëndimor zhvillojnë sëmundjen. Kur shfaqen shenjat ato përfshijnë: ethe, dhimbje koke, lodhje, dhimbje trupore, të përziera, të vjella, herë pas here skuqje të lëkurës dhe fryrje të gjëndrave limfatike.
Shenjat e sëmundjes së rëndë (si encefaliti, meningiti ose paraliza flakside akute) përfshijnë: dhimbje koke, temperaturë të lartë, ngurtësim të qafës, mpirje, çorientim, gjendje kome, dridhje, konvulsione, dobësi muskulore dhe paralizë dhe shfaqen vetem ne 1% te personave te infektuar.Forma të rënda të sëmundjes mund të shfaqen te njerëzit e çdo moshe, por personat mbi moshën 60 vjeç dhe personat me imunitet të ulët janë më të rrezikuar. Periudha e inkubacionit është zakonisht 3 ditë deri në 14 ditë.
Si vendoset diagnoza?
Virusi i Nilit Perëndimor mund të diagnostikohet me një sërë testesh duke analizuar lëngun e trunoshpinor,urinen, gjakun apo mostrat e serumit të marra nga pacientët e infektuar nga virusi i Nilit Perëndimor, në periudhën kur paraqesin shenja klinike.
Trajtimi
Nuk ka trajtim specifik për pacientët me sëmundjen që prek sistemin nervor, shkaktuar nga virusi i Nilit Perëndimor. Trajtimi është vetëm mbështetës dhe simptomatik.
Parandalimi
Kufizimi i rrezikut të infektimit te njerëzit. Në mungesë të një vaksine, e vetmja mënyrë për të zvogëluar infektimin e njerëzve është rritja e ndërgjegjësimit mbi faktorët e rrezikut, dhe edukimi i njerëzve për masat që duhet të ndërmarrin për të zvogëluar ekspozimin ndaj virusit.
Kontrolli i mushkonjave
Parandalimi efektiv i infeksionit nga virusi i Nilit Perëndimor te njeriu varet nga programet e kontrollit të integruar të mushkonjave në zonat ku ndeshet virusi. Parandalimi i infeksionit në mjediset e kujdesit shëndetësor Punonjësit e kujdesit shëndetësor që kujdesen për pacientët që dyshohet ose që konfirmohet se kanë infeksion të virusit të Nilit Perëndimor, ose që trajtojnë mostra prej tyre, duhet të zbatojnë masat e përgjithshmetë kontrollit të infeksionit.
Parandalimi i transmetimit të virusit në kuaj dhe zogj
Meqenëse shpërthimet e virusit të Nilit Perëndimor në kafshë i paraprijnë infektimit të rasteve në njerëz, krijimi i një sistemi mbikëqyrës të shëndetit të kafshëve për zbulimin e rasteve të reja në zogj dhe kuaj, është thelbësor për paralajmërimin e hershëm të autoriteteve të shëndetit publik dhe veterinar.
Ethet e Nilit Perëndimor është një sëmundje virale që shkaktohet nga virusi i Nilit Perëndimor; emri i së cilës rrjedh nga dega e Nilit Perëndimor në Ugandë, dhe për herë të parë është diagnostikuar në 1937 te një grua që vuante nga një temperaturë shumë e lartë. Sëmundja tipike e kontinentit të Afrikës, po përhapet edhe në pjesët e tjera të botës, siç tregojnë edhe rastet e personave të prekur në vendet e Ballkanit gjatë muajit Gusht.