Drejtori i Policisë Rrugore Altin Qato godet qytetarin me shpullë, pamjet e SKANDALIT
Drejtori në Drejtorinë e Policisë Rrugore Altin Qato është filmuar teksa godet me shpullë një qytetar gjatë protestës së sotme në aksin Thumanë- Kashar.
Një videon e siguruar nga Gazeta Korrieri duke drejtuesi i lartë i Policisë Rrugore, Altin Qato teksa godet me shpullë një qytetar të ulur në vendin e parë të pasagjerit të një makine tip “Mercedes Benz”.
Nuk dihet konteksti i ngjarjes, por goditja me shpullë e qytetarëve qoftë edhe gjatë ndalimit nga policia është diçka e ndaluar dhe nuk i shkon një drejtuesi të lartë të Policisë. Duket se qytetari nuk po rezistonte gjatë momentit kur Qato shkon drejt derës së makinës dhe e godet atë me shpullë.
Më pas, kanë mbërritur aty edhe forca të tjera të Policisë Rrugore duke i kapur duart qytetarit për t’i vënë prangat. Në një shpjegim të shkurtër shpërndarë gazetarëve, policia thotë se Qato e goditi qytetarin me shpullë pasi ai po i binte borisë së makinës pa pushim, ndërkohë që rezulton që në fakt qytetari në fjalë nuk ishte shoferi por pasagjeri.
Deri më tani nuk ka reaguar Ministria e Brendshme për ngjarjen e rëndë.
Ngjarja ndodhi gjatë protestës së banorëve të Krujës dhe Fushë Krujës pasi autostrada e re sipas tyre nuk i lejon të lëvizin lirisht.
Protesta
Banorët e Krujës e Fushë Krujës dolën sot sërish në protestë duke bllokuar aksin Thumanë-Kashar.
Banorët pretendojnë se me aksin e ri Thumanë Kashar ata po falimentojnë, pasi për ta ky aks nuk do të ketë hyrje dhe dalje, pra u privohet lëvizja e lirë.
Protesta nisi rreth orës 18:15 ku disa qindra qytetarë bllokuan të dyja akset e autostradës, ndërsa pati edhe përplasje me forcat e policisë.
Por, më pas policia ka arritur të largojë protestuesit nga rruga, duke i zhvendosur anash saj, dhe duke bërë të mundur zhbllokimin e qarkullimit. /Gazeta Korrieri