Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimet e Prokurorisë së Tiranës, e cila ka lëshuar 7 urdhër-arreste për rrëmbimin e një 35-vjeçari me banim në zonën e Kamzës. Burime bëjnë me dije për ZËRI-n se personi që u tentua të rrëmbehej është Ervis Xhixha, një person me precedent të mëparshëm penalë. Gjykata lëshoi masat e sigurisë arrest me burg për shtetasit Tori Xheçuka, alias Hektor Xheçuka, 36-vjeç, Aleksandër Osmani, 37-vjeç, Artan Pirraci, 50-vjeç, dhe Fredi Keta, 49-vjeç, të gjithë banues në Tiranë.
Ndërsa është lëshuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” për shtetasit Naim Qarri, 52-vjeç, Sajmir Kolaveri, 42-vjeç dhe Adem Metkola, 46-vjeç. Për Xheçukën dhe Ketën masa e sigurisë nuk është ekzekutuar ende, për shkak se dyshohet se ndodhen jashtë vendit. Nga veprimet hetimore, ka rezultuar se shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë hequr lirinë 35-vjeçarit Ervis Xhixha dhe e kanë kanosur atë për dhënie pasurie. Ata i kanë kërkuar 70 mijë euro përmes kanosjes.
Ervis Xhixha, është një personazh i njohur për drejtësinë, pasi u arrestua në vitin 2019, për shkak se tentoi të vrasë në Zall Herr Bujar Beshirin, pas një konflikti me këtë të fundit, por më pas qëlloi në ajër.
Tori Xheçuka, alias Hektor Xheçuka, është një personazh i njohur i botës së krimit, pasi ishte shpallur edhe më herët në kërkim nga SPAK, teksa akuzohet si i përfshirë në disa vrasje.
Dyshohet se ai ndodhet në Dubai, ndërsa ka qenë i përfshirë dhe në përgjimet e SPAK, në operacionin Revanshi, ku bashkëpunonte me Ervis Martinajn për vrasjen e Durim Bamit.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”.