TIRANË– Niko Peleshi, i cili u largua të dielën nga posti i ministrit të mbrojtjes, për t’u vendosur në krye të grupit parlamentar të PS-së, ka folur në lidhje me vendimmarrjen e kryeministrit, duke i dhënë atij të drejtën absolute për të kryer lëvizjet. Peleshi tha se më të vjetrit që kanë mbetur në PS kanë bërë një marrëveshje që në fillim me Ramën, duke qenë në dispozicion për të shërbyer në çdo pozicion që i duhen Ramës, qoftë në parti, qoftë në qeveri.
“Ne jemi për hapje, por nuk jemi dakord kur hapet qeveria. Kur lëviz një ministër, themi pse e hoqëm. Ne që u bëmë të vjetër në politikë tani, ne e kemi bërë këtë marrëveshje që në fillim me partinë dhe kryetarin e partisë. Ne jemi në dispozicion të vendimmarrjes së partisë aty ku ka nevojë atdheu thoshim qëmoti.
Nëse do të ishte një shkarkim, patjetër që duhet të kishte një shpjegim. Nëse më pyesni për zotin Mete, di që nuk është hequr fare edhe ai, mbase do të lëvizë diku tjetër. Nuk është largim, nuk është përjashtim nga kabineti. Është një lëvizje brenda kabinetit”, tha Peleshi në emisionin e gazetares Erla Mëhilli.
Nga ana tjetër, i pyetur nga gazetari Mentor Kikia, nëse largimi i tij lidhej me refuzimin për të firmosur disa letra në ministrinë që ai drejtonte, Peleshi tha se zëra të tilla janë të mbështetura tërësisht në spekulime.
Mentor Kikia: Nuk besoj që Rama kishte probleme me kontrolline qeverisë dhe hoqi disa problematikë. Nuk e di nëse zoti Peleshi mund t’i përgjigjet pyetjes që qarkullon në publik se zoti Peleshi nuk ka pranuar të firmos për ca prona të ushtrisë për projekte ekonomike koncensionare.
Niko Peleshi: Nuk është e vërtetë fare.
Kikia: Dakord nuk është e vërtetë e mbyllim këtë histori.
Peleshi: Kjo është tërësisht spekulative, nuk është e vërtetë, jo për mua po besoj edhe për kolegët e tjerë. Nuk ka patur ndonjë tension brenda qeverisë dhe këto ndryshime nuk kanë ardhur si pasojë e ndonjë kontraksioni. Janë ndryshime që morën shpjegim në kongres, por edhe në mbledhjen e grupit parlamentar.
Niko Peleshi do të zëvendësohet nga Pirro Vengu në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa dje u prezantua në postin e ri, atë të kreut të grupit parlamentar në PS