Në Kongresin e Partisë Socialiste, Edi Rama njoftoi ndryshimet në qeveri dhe ai që shkaktoi më shumë habi e ngriti pikëpyetje ishte largimi i Taulant Ballës nga kreu i Ministrisë së Brendshme.
Pasi shërbeu për një vit si ministër i Brendshëm, tashmë Balla do të marrë postim e mbajtur deri më tani nga Elisa Spiropali, si Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Për analistin Lufti Dervishi, ka gjasa që kryesocialisti ta ketë larguar Ballën nga posti i rëndësishëm që mbante, për t’u paraprirë atyre që do të vijnë më pas.
“Kryeministri mund të dijë gjëra, ose të ketë informacione që ne nuk i kemi, që lidhen me SKY dhe EncroChat… pra të natyrës së problemeve me drejtësinë,” shtoi Dervishi në “Debat” nga Alba Alishani.
Kurse, për analistin Plator Nesturi, largimi i Ballës, më shumë sesa një çështje e drejtësisë, mund të jetë taktikë duke mbajtur parasysh se jemi në vit elektoral së shpejti.
“Nuk pritej. Nuk ka pasur kritika, ka pasur disa aksione që janë quajtur suksese edhe nga kryeministri.”
Sipas tij, nëse kryeministri do të kishte informacione se Taulant Balla ka probleme me drejtësinë, atëherë nuk do ta kishte mbajtur sërish në kabinet.
“Unë mendoj se duhet të jetë pjesë e asaj që mund të quhet filozofia me të cilën Rama ka nisur lëvizjet e veta, që nuk janë të vogla. Të gjitha ministritë janë më të rëndësishmet…Ai që bën veprimet e para, kap imazh, kap dhe vlera. Jemi në vit elektoral, sondazhet tregojnë se qytetarët nuk kanë besueshmëri te kjo klasë politike.”